Më në fund mundësohet implanti koklear falas për fëmijët me probleme dëgjimi
Fëmijët që vuajnë nga humbje të thella të dëgjimit, tashmë do të kenë mundësi për vendosjen e implantit koklear pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Realizimi i kësaj ndërhyrje kirurgjikale ishte premtuar që në vitin 2014, por deri pak ditë më parë ofrohej vetëm në spitalet private apo në klinikat jashtë vendit, duke rrezikuar çdo vit që 30 deri në 40 fëmijë që lindnin me probleme dëgjimi të mbeteshin të shurdhër.
Gjatë vitit të kaluar “Together for Life”, e mbështetur nga gazeta “Shëndet +” ka realizuar një serë artikujsh denoncues për këtë temë dhe me mbështetjen e Komitetit Shqiptar të Helsinkit ka përgatitur dosje ligjore për fëmijët të cilin nuk e merrnin shërbimin që u takonte me ligj.
Javën e kaluar, shërbimi i ORL-së në QSUT ka mundësuar realizimin e suksesshëm të tre ndërhyrjeve të para kirurgjikale për vendosjen e implantit koklear te fëmijët me probleme të thella dëgjimi, teksa në listën e pritjes për të marrë këtë trajtim numërohen edhe qindra raste të tjera.
Çfarë është implanti koklear?
Implanti koklear është një ndërhyrje që indikohet në fëmijët me shurdhësi të thellë dhe që nuk përfitojnë me asnjë ndihmesë tjetër dëgjimi, proteza akustike. Zbulimi sa më i hershëm i uljes së dëgjimit, madje sa më afër periudhës së lindjes së fëmijës bën që të aplikohen trajtime efektive që ulin në mënyrë të dukshme paaftësinë që shkakton ky problem. Të dhënat e raportuara nga strukturat kombëtare dhe ndërkombëtare të shëndetit saktësojnë se rreth 50 për qind e rasteve me humbje të dëgjimit mund të parandalohen.
/l.k./