“Ata na përdhunojnë, ne i vrasim”, batalioni i femrave që do të luftojë kundër ISIS
Terroret e grupit islamik ISIS, kanë ngjallur inate dhe urrejtje sidomos tek femrat, të cilat rrëmbehen, përdhunohen dhe përdoren si skllave seksi. Për këtë arsye, vajzat Yazidi kanë formuar një batalion ushtarak vetëm me femra, për të luftuar kundër ISIS. Ato janë gati të vdesin, për të luftuar Shtetin Islamik, që ka rrëmbyer, përdhunuar dhe vrarë mijëra persona.
Batalioni i tyre quhet “Sun Girls” dhe u formua nga një këngëtare e njohur në vend që quhet Xate Shingali. Grupi pritet që të luftojë në Irak.
Nëse ato do të kapen, me shumë gjasa do të përdhunohen, vriten apo do të mbahen nga ekstremistët si skllave seksi, por kjo gjë nuk tremb asnjërën prej tyre. Një 17-vjeçare nga ky batalion, që pranon të flasë për Daily Mail, thotë se “Edhe sikur të më vrasin, unë do t’iu them se jam një Yazidi”.
Në 2014-ën, ushtarët e ISIS-it rrëmbyen mijëra gra Yazidi. Ato që kanë shpëtuar nga “kthetrat” e tyre, kanë treguar se kanë duruar mizori të paimagjinueshme dhe abuzime seksuale nga duart e ekstremistëve. Shumë prej tyre, pasi janë përdhunuar egërsisht, janë detyruar më pas të martohen me ekstremistët.
Këngëtarja 30-vjeçare që u bë iniciatore e batalionit, e formoi grupin në 2 korrik dhe që atëherë, janë bashkuar 123 luftëtare femra nga 17 – 30 vjeç.
“Ata na përdhunojnë, ne i vrasim” këndojnë femrat e batalionit “Sun Girls”, ndërsa stërviten për të luftuar kundër ISIS, për t’u hakmarrë dhe shpëtuar motrat e tyre.
Burimi: DailyMail