Medalistja e vetme olimpike e Iranit, Kimia Alizadeh, ka thënë se ajo është larguar nga vendi përgjithmonë pas akuzave për keqtrajtim dhe seksizëm ndaj zyrtarëve.
21-vjeçarja raportohet se është në Hollandë, ku ka kërkuar azil politik, ndërsa në Tehran, mijëra qytetarë kanë dalë në protesta anti-qeveritare.
Në mes të trazirave në rritje në Iran pas rrëzimit aksidental të një aeroplani ukrainas dhe nxitjes së tensioneve me SHBA, atletja e sportit Taekwondo Kimia Alizadeh, ka njoftuar në një postim në Instagram të dielën, se nuk dëshiron të jetë pjesë e “hipokrizisë, gënjeshtrave, padrejtësive dhe lajkave” si “një nga miliona gra të shtypura në Iran”.
“Kam veshur gjithçka që ata më kanë thënë dhe kam përsëritur ato që e kanë porositur. Askush nga ne nuk ka rëndësi për ta, ne jemi vetëm mjete,” shtoi ajo.
Alizadeh, e cila bëri histori kur fitoi medaljen e bronztë në Taekwondo në Lojërat Olimpike të Rios si një 18 vjeçare, besohet se po stërvitet në Hollandë, sipas agjensisë së lajmeve ISNA të Iranit.
Ajo ka pretenduar në të kaluarën se Republika Islamike e ka përdorur atë si një mjet propagandistik dhe akuzoi zyrtarët iranianë për seksizëm dhe keqtrajtim.
Agjensia ISNA raportoi se Alizadeh shpreson të konkurrojë akoma në Lojërat Olimpike të Tokios më vonë këtë vit, por jo nën flamurin iranian.
Burimi i fotos: AFP