Jam Burrë, jam Feminist
*Nga Andi Bregu
Më kujtohen shumë mirë kohët e adoleshencës në shkollën time 8 vjeçare, gjithmon ka qenë përballje e fortë mes shokësh se kush kishte aftësi të mira fizike dhe ndër të tjera mezi pritesh ora e fiskulturës, jo si orë e Edukimit Fizik, por më tepër për të bërë gallatë me shoqet tona, të cilat mund të ishin më pak atletike se djemtë. Nuk është histori e trilluar, është e vërteta e atyre viteve e në vazhdim, sepse kjo ishte kultura me të cilën ne ishim edukuar. Familja, vlerat shoqërore apo dhe vetë sistemi arsimor na impononin dallimet e thella gjinore në rolet tona, djem të fuqishëm e të suksesshëm e vajza të brishta e të kujdesshme.
Duhet të kalonin shumë kohë, në Universitet, që unë personalisht të përballesha me koncepte e prespektiva të tjera, ndër to edhe Feminizmi. Feminizmi në plan të parë dukej si një lëvizje grash, të cilat, të lodhura me rolin e tyre nënshtrues tashmë kishin bërë gati planin e tyre të hakmarrjes, për të hedhur poshtë perandorinë burracake, ndaj si çdo qëndrim i ri në mendjen tonë për të kuptuar Feiminizmin duhej pak kohë.
Feminizmi është një lëvizje Globale në aspektin politik, ideologjik e shoqëror që synon të ndërtojë një shoqëri me mundësi të barabarta për burrat dhe për gratë. Feminizmi mbështet të drejtat e njeriut për gjithëpërfshirje pa dalllim ndërmjet burrave dhe grave, pra të jesh Feminist do të thotë të mbështesësh barazinë ndërmjet burrave dhe grave, të mbështesësh lirinë dhe zgjedhjet e individit, të respektosh të drejtat e njeriut. Si lëvizje e tillë për liri dhe barazi, Feminizmi ka marrë dhe mbështjen e shumë liderve botërore apo figura të njohura publike si: Barak Obama President i ShBA, Justin Trudeau Kryeminister i Kanadasë, Princi Harry i Britanisë së Madhe, Ban Ki Moon ish Sekretar i Përgjithshëm i OKB apo edhe aktorë, këngëtarë me influencë si: Will Smith, Daniel Radcliffe, Patrick Stewart, David Schwimmer, John Legend, Rayn Gosling, shumë e shumë djem e burra të tjerë të njohur që besojnë se gratë duhet të kenë mundësi të barabarta me burrat.
Në fakt, për fat të keq gruan shqiptare e shikojmë akoma larg standartit të lëvizjes Feministe, shumë i nënshtruar është roli i saj, shumë e diskriminuar mbetet gruaja në punë, shumë mospërfillese në pozitat e amvisës, shumë larg pavarsisë dhe zgjedhjeve personale. Ka dhe një trend të ri akoma dhe më skandaloz, atë të ritualit të 8 Marsit, ku ngrihen podiume për të dëgjuar premtimet e burrave, ku organizohen festa e koncerte sikur u arrit fitorja e madhe, ku bëhet Fashion jo për të kërkuar e demostruar por për të dalë në Televizor. Të gjitha këto përsëriten në mënyrë ciklike nga viti në vit, nga 8 Marsi në 8 Mars, edhe pse është po aq e dhimbshme se çdo 8 Mars, gratë shqiptare i gjen po ashtu, të rrahura, të vrara, të përdhunuara, të diskriminuara, të raskapitura, të përjashtuara.
Hendeku i seksizmit në shoqërinë shqiptare është shumë i madh në mundësi, në paga, në role drejtuese, në përfshirje sociale, në vendimmarrje, në lirinë e shprehjes dhe lirinë e zgjedhjes, në traditat familjare. Të gjitha këto janë arsye që për një mendje të shëndoshë të mbështesi dhe inkurajojë Feminizmin, si një levizje reale për të drejtat e njeriut, e ndoshta për disa arsye mendoj se duhet të jenë pikërisht burrat që të mbështesin Feminizmin.
Ja disa nga arsyet e mia pse jam Feminist:
-Mendoj se duke u çliruar nga pozita e sunduesit, individi çlirohet edhe prej komplekseve të ndryshme në mendjen e tij dhe i lë hapësirë vetes për ide të reja, qëndrime të reja dhe prespektiva të reja, e thënë për kontekstin Shqiptar kjo do i ndihmonte të gjithë djemtë dhe burrat të shkëputen nga shoqëria Patriakale, nga pozita e dominancës mashkullore dhe të ndërtojnë një jetë më të plotë duke u fokusuar tek nevojat e tyre shpirtërore e materiale.

Andi Bregu
-Mendoj se Feminismi është një mudësi më e mirë qeverisje për vendin, në këto dekada pas diktaturës kemi parë qeveri burrash të cilët më shumë e kanë frustuar shoqërinë sesa kanë ofruar zgjidhje. Feminizmi është një platformë që ofron mundësi të barabarta ç’ka do të thotë më shumë mundësi për gjithpërfshirjen e vajzave dhe grave për të shprehur potencialin e tyre duke krijuar një ambjent më të ekulibruar e inkurajues, e duke e shkëputur shoqërinë nga pozitat e të fortit dhe e të privilegjuarit.
-Mendoj se edukimi kryesor që merret nga familja e që forcohet me traditat na ofron qëndrime të gabuara e të shtrembëruara për rolet gjinore, ndaj prespektiva Feministe nëpërmjet fuqizimit të vajzave dhe grave në familjen shqiptare bëhet mundësi e mirë për të pasur fëmijëri më të shëndetshme, duke e fokusuar më shumë vemendjen tek nevojat bazë të fëmijëve. Duke pasur parasysh rolin kryesor të nënave në edukimin e fëmijëve, çlirimi nga komplesi i të nënshtruarës do bënte të kemi familje më tolerente, më të orjentuar nga vlerat për jetën dhe më harmonike në përgjithësi.
-Feminizmi është qasje gjithëpërfshirëse për të drejtat e njeriut. Shqipëria ka në vazhdim probleme me të drejtat e njeriut, diskriminimini i personave me aftësi të kufizuar, përjashtimi i komuniteteve rurale, minoritare, dhunimi i personave LGBT, stigmatizimi religjoz etj etj, të gjitha këto mund të gjejnë qasje më të pranueshme në prespektivën Feministe për të fuqizuar individin padallime dhe për të përmirësuar kushtet e të drejtave të njeriut në vendin tonë.
– Feminizmi është ideologji politike që është pranuar prej shumë shtetesh në botë si Suedia, Kanadaja, Danimarka, Hollanda, Britania etj, të gjitha këto shtete dëshmojnë për rritmet e larta të zhvillimit social e kulturor që ato kanë dhe ndjesinë e lumturisë që qytetarët e tyre shprehin në sondazhet botërore.
Të gjitha këto janë arsye për të qenë Feminist, që vlen të theksohet është një platformë pozitiviste dhe gjithpërfshirëse, e cila lufton për barazi në mundësi dhe për respektimin e të drejtave të njeriut, çdo grua sikurse dhe çdo burrë mund ta mbështesi këtë lëvizje globale për të përmirësuar në mënyrë direkte dhe indirekte jetën e të gjithëve ne.
Jam i sigurtë se vetëm atëherë kur vajzat dhe gratë të kenë mundësi të njëjta Shqipëria do të jetë një vend më i mirë, ndaj jam burrë dhe jam Feminist.