Kam marr hov – Dua me ndrru’ zakonin e gotave të çajit
(“Shibël” – koment i marrë në njërin prej portaleve tona, pas botimit të opinionit “A po e don nji’ virgjëreshë?”. Përkufizimi: “shibël”- e vogël, e pakapshme, diçka që nuk çon pluhur, por që grimcat e saj e bëjnë pluhurin).
Idhëtare e të drejtës dhe barazisë, ani pse edhe vetë personalisht nganjëherë lëshoj peh nëpër situata (vazhdoj të jetoj në Kosovë).
Formimi, karakteri dhe personaliteti im mund të them që është bukur i ndikuar nga mentaliteti dhe kjo është një arsye shumë e fortë që unë sot po bëj çmos ta luftoj atë. Kam arritur ta kuptoj që 1/2 apo që i bie gjysma e shoqërisë përballet me të njëjtin fat si unë, çdo ditë apo edhe më keq, shumë, shumë më keq!
Duke e ngushëlluar veten deri në një masë, që nuk jam e vetmja vajzë që jam rrit duke e dëgjuar krahasimin “ A e ki pa çiken e Ismajlit sa e zoja është, ndaq me fshi’, ndaq me gatu, e ti veç rri këmbë mbi këmbë”, mundem më thënë që hatërmbetja për këtë refren të përsëritur në jetën time ka me qenë goxha problem për t’u falur.
Problemi trashëgohet në familje, shtjellohet në shoqëri dhe njëkohësisht zhvillohet në mendjen e gjithësecilës pa vetëdije.
– Familjet fillojnë me përgatitjet qysh në vegjëli që vajzën ta bëjnë nusen perfekte ( e jo gruan), gjithmonë duke ja ndarë rolet në kuzhinë, me rrobat dhe me pastërtinë, dhe djalit gjithmonë duke i thënë mos u përziej në punë të grave.
Pikërisht, në vendin ku unë frymoj gati çdo e dyta familje e justifikon të birin që është i dobët në mësime, por jo edhe vajzën. “Hajt se djalë është, librat s’janë për burra!”. Andaj sot, librat janë të grave, fshesat janë të grave, e madje edhe fjalët janë të grave…
Cikli i jetesës sonë është një fenomen në vete, që ka trazuar fytyra e emra, të gjitha ne (sepse unë sot personifikoj vajzën/gruan) jemi përballur së paku njëherë me mentalitetin dhe tradicionalen, pikërisht në situata. Mbase djemt/burrat s’mund ta kuptojnë një gjë të tillë, por është mjaft e dhimbshme mënyra se si ne trajtohemi, jo vetëm nga burrat, por edhe nga steriotipi grua.
Kur vajza i merr si shembuj të mirë shprehitë më të këqija të një burri, atëherë lind nevoja për ndryshim brenda, e duke vazhduar më tutje. Nuk është koha ta arsyetojmë askënd për veprimet e tyre, është koha ideale për të provuar me rezistencë se ndryshimi nis me ne, me ju, me mua dhe me ty.
“Nuk ke faj ti që çaji në shtëpinë tënde përvëlohet tri herë në ditë, faji është tek ti që i lejon me të detyru me ja rëndu’ e lehtësu çajin sipas tekeve, e kjo padyshim që është veç një metaforë, ani pse gotat e vogla të çajit me bo’ me i ndrru me gotat e mëdha të ujit, do të kishte rënë veç njëherë me u sill’ me tabakë në kuzhinë”.
Me ua bërë më të qartë, do të thotë që ndryshimi nis me imtësira, me gjëra të vogla që kurrë nuk ua ke vënë mendjen më herët, se ndryshimi është i mirë edhe për zemrën, e shpesh do të të kursejë kohë edhe nerva. Respekti për veten njëherë, pastaj për të tjerët.
Përkufizimi i fjalës respekt: ndjenjë e thellë e admirimit për dikë apo diçka që mund të nxjerrim prej aftësive të tyre, cilësi apo arritje. E përkthyer nga gjuha angleze, por më la shumë përshtypje mënyra se si duhet ta shohim apo kur duhet t’ia falim respektin dikujt, apo ndoshta këta të huajt’ janë civilizu pak si shumë…
Aman, mos e kini zili lirinë e një burri, dashuroje dhe gëzoje të drejtën tënde, mbroje, shtrëngoje me gjoks e duar. Ndihmoje një grua të ngjitet shkallëve të jetës, hapja sytë me dritë, e bërtit edhe për të në qoftë se është nevoja.
Dhe krejt në fund, thellë-thellë besoj, që secila vajzë lind luftëtare, secila përdor forcën e dijës për të marr atë që e meriton, edhe nëse nuk e marrin, së paku mund të thonë se e kanë provuar.
E çfarë force cilësohet më e madhe se ajo që ne posedojmë, guxim+ punë+ shpresë+ zemër. Si duhet të jetë njeriu ndryshe!?/A.A.