Këtë 8-Mars protestohet!

Brenda 7 javëve të vitit 2019, janë vrarë 8 gra në Shqipëri. Përtej faktit që viktimat nuk njihen më shumë sesa iniciale dhe përkthehen në fund të ditës në statistikë, apo mish për kronikat televizive, nuk ka asnjë mobilizim përveç shpalljes së lajmit.
Ka mungesë analizash e nismash në lidhje me shkaqet sociale apo ekonomike të familjeve që preken nga fenomene të rënda siç është vrasja. Shumica e grave të vrara, kanë lënë pas edhe fëmijë, për të cilët nuk është folur ndonjëherë nëse ka patur përkujdesje prej shtetit, institucioneve arsimore, psikologëve apo hallkave të tjera institucionale të cilat në mos parandalimin e këtyre ngjarjeve, por të paktën rimëkëmbja të jetë më e lehtë se llogoret e tjera. Sakaq, nuk ka pasur as ndonjë reagim zyrtar në lidhje me shifrat alarmante kundrejt vrasjes së grave.
Duke marrë parasysh përgjegjësinë insitucionale të mangët, gra dhe vajza prej profileve të ndryshme e kanë shpallur protestë ditën e 8-Marsit. Jo rastësisht, dita e gruas dhe punëtores-grua është përzgjedhur për të protestuar mbi jetët e humbura përgjatë vitit 2019 që sapo ka filluar.
8-Marsi, dita kur gratë do të duhej të protestonin për më shumë të drejta në mundësi dhe punësim teksa shtypja vjen prej sistemit dhe kompanive private; duhet reduktuar njëfarësoj në një ditë zie ku protestohet për drejtësi ndaj viktimave, më shumë vëmendje institucionale për dhunën ndaj grave dhe më shumë siguri për jetën.
8-Marset në Shqipëri gjithsesi nuk i kanë shërbyer ndonjëherë simbolikës historike, pasi gratë e punësuara në fabrika a fasoneri zor se e kanë pushim, por dhe në e paçin, oraret janë të reduktuara ose duhet të paguajnë me lekët e tyre drekat ku socializohen me sho-shoqen e punës, paskësaj secila nxiton në shtëpi. Andaj, ky 8 Mars duhet të na gjejë në protestë për të gjitha mungesat e pasiguritë në shoqëri. Ky 8-Mars është protestë! Ora 11.00, marshohet nga Drejtoria e Policisë drejt Ministrisë së Shëndetësisë.
/L.K/