Letra e hapur e studentes që u përdhunua
Një studente në Universitetin e Oksfordit, e cila u përdhunua nga dy burra, që më pas e hodhën në një kosh plehrash, ka rrëfyer historinë e saj, duke iu bashkuar fushatës kundër dhunës seksuale. Fushata #NotGuilty (JoFajtore) u prezantua javën e shkuar, kur Ione Wells, studente në Kolegjin Keble në Universitetin e Oksfordit i shkroi një letër të hapur 17-vjeçarit që e përdhunoi atë jashtë shtëpisë së saj në Londër, e cila u publikua në gazetën e studentëve, “Cherwell”. 20-vjeçarja guximtare përshkroi me detaje sulmin që i ndodhi teksa po kthehej në shtëpi, pasi zbriti nga treni. Tashmë, një tjetër studente 19-vjeçare, e cila ka zgjedhur të mbetet anonime, ka shkruar një artikull për gazetën “Cherwell” dhe “Sunday Times” për përvojën e saj të hidhur. Ajo shpjegon sesi iu afruan dy burra, që e lidhën dhe e goditën, para se ta detyronin të bënte seks oral. “Ata nuk e dinë sesi u ndjeva, kur më hodhën në një kosh plehrash, pasi kishin mbaruar punë. M’u duk vetja e pavlerë, e përdorur dhe e hedhur poshtë”. Vajza shtoi se çdo ndjenjë sigurie që i ishte krijuar në “universitetin e ëndrrave”, u fshi natën e sulmit. Ajo tha se, diçka për të cilën ishte e kënaqur, ishte se nuk kishte pse ta duronte sulmin e një burri, ndërsa bëri thirrje për më tepër mbështetje për viktimat meshkuj të ngacmimeve seksuale. “U përdhunova. M’u deshën gjashtë muaj për të pranuar ato tre fjalë. Gjysmën e kohës nuk më kujtohej. Nuk doja të kujtoja, pasi i shtypja kujtimet që të mund të vazhdoja me jetën time”. Studentja tha se ndihej e paaftë për t’i treguar policisë, ose prindërve të saj për sulmin e tmerrshëm dhe se merrte këshillim.
Për të lexuar letrën e plotë të studentes, klikoni: www.cherwell.org