Civil Rights Defenders organizon gjatë këtyre ditëve në Shkup eventin rajonal me temë: “Mbrojtja e vlerave evropiane gjatë procesit të integrimit“, ku organizata që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në rajon, u bënë bashkë për hartimin e një deklarate dhe për koordinimin e përpjekjeve të tyre të përbashkëta.
Deklarata e cila u hartua gjatë kësaj mbledhjeje rajonale, do të shërbejë si hapi i parë i një dokumenti të mirëfilltë rekomandimesh për Presidencat e ardhshme të Komisionit Evropian.
Pjesëmarrësit e vendeve të Ballkanit, mes tyre dhe Pro-LGBT, dhanë përshtypjet e tyre dhe shprehën hapat që po ndjekin për t’i bërë ballë rrymave të intolerancës dhe konservatorizmit të dëmshëm në rajon.
Deklarata do të shërbejë njëkohësisht dhe si një përpjekje e përbashkët për advokimin dhe përmirësimin e rolit të mbrojtësve të të drejtave të njeriut, përgjatë procesit të zgjerimit dhe integrimit në BE.
Në panelin mbi Mbrojtësit e të drejtave të njeriut, Sidita Zaja, drejtoreshë ekzekutive e Pro-LGBT, foli për rolin e medias dhe përmbajtjen e gjuhës së urrejtjes në to, e cila targeton kryesisht gratë dhe komunitetin LGBTI në vendin tonë.
Gjithashtu në fjalën e saj, Zaja përmendi dhe përpjekjet e bashkëpunimit me autoritetet dhe qasjen e tyre në komunikimin me gratë dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara.
Pjesë të fjalës së saj ishin dhe gjetjet e raporteve të monitorimit të kryera nga Pro-LGBT mbi gjuhën e urrejtjes dhe përmbajtjes diskriminuese ne media gjatë viteve të fundit.
Këtë muaj pritet dhe publikimi i raportit më të fundit të monitorimit me gjetje të rëdësishme mbi trajtimin e komuniteteve të margjinalizuara në media e me fokus kryesor gjuhën seksiste.