Ndryshon historia e grave të punësuara në Kosovë, KDI aplikon pushimin menstrual
Të drejtat e njeriut e në veçanti të drejtat e gruas në Kosovë dhe pse të pranuara formalisht nga të gjithë, vazhdojnë të jenë sfidë dhe të cënohen nga barrierat ligjore e kulturore, si pasojë e stereotipeve gjinore, të pranishme si në familje ashtu edhe në jetën publike.
Kështu vlerëson Instituti Demokratik i Kosovës, që ka vendosur të shënojë 8 Marsin e 2016-tës ndryshe nga vitet tjera; duke synuar të mbështesë zhvillimin e demokracisë dhe të kapitalit të saj njerëzor.
“Politika që sot KDI prezanton, u jep mundësi grave të punësuara në organizatë të shfrytëzojnë ditë të lira shtesë për ciklin natyral të trupit të tyre, pa cënuar benefitet e pushimit vjetor apo shëndetësor të përcaktuar me ligjin e punës. Politika e pushimit menstrual u jep të drejtë grave të punësuara në KDI që lirshëm të marrin ditë të lirë nëse duan, por kjo nuk është e detyrueshme. Prandaj KDI në vend të urimit për 8 marsin inkurajon institucionet publike e private që të vendosin politika të ngjashme për gratë që punojnë në institucionet e tyre, pa i diskriminuar ato në obligim të pushimit vjetor apo shëndetësor”, thuhet në njoftimin e tyre.
Vlerësojnë se ky është një hap i vogël drejt përkushtimit të tyre si organizatë dhe si shoqëri për avancimin e të drejtave të njeriut, me theks të veçantë të drejtat e gruas./A.A.