Vajza Pakistaneze vritet pasi refuzon një propozim martese
Islamabad, Pakistan (CNN) Një mësuese 18 vjeçare Pakistaneze vdiq të mërkurën nga plagët, kur trupit të saj iu vu zjarri pasi refuzoi një propozim martese, tha policia.
Autorët rrahën Maria Abbasi, pastaj e lyen me benzinë dhe i vunë flakën trupit të saj para se ta linin të vdekur, thanë anëtarët e familjes për CNN.
“Maria ishte në shtëpi duke u kujdesur për motrën e saj 5-vjeçare, ndërsa familja e saj shkoi në një funeral në një qytet aty pranë,” tha Rafaqat Abbasi, xhaxhai i saj.
“Në funeral familja e saj u lajmërua se ajo” kishte marrë zjarr. ” Fillimisht u mendua se kishte ndodhur ndonjë aksident, ndoshta kishte shpërthyer ndonjë tub apo diçka e tillë.”
Tmerri i asaj që kishte ndodhur u zbulua të hënën në mbrëmje, kur familja e saj u kthye në shtëpi në fshatin Davel jashtë Murree në verilindje të Pakistanit.
“Maria ishte e shtrirë në dysheme, me 85% të trupit të saj të djegur,” tha xhaxhai.
Katër burra kishin hyrë në shtëpinë e prindërve të saj, tha inspektori i policisë Murree Sohail Abbasi.
“Nuk ka rrugë të drejtpërdrejtë të madhe që kalon përmes fshatit. Na u desh ta mbanim Marian në një karrige që ta nxirrnim në rrugën më të afërt për ta marrë me një ambulancë”, tha Rafaqat Abbasi, xhaxhai.
Gruaja e re u dërgua në Institutin e Shkencave Mjekësore të Pakistanit në Islamabad, rreth 50 kilometra larg, për trajtim, ku më vonë vdiq.
Tre persona u arrestuan të mërkurën në Islamabad në lidhje me vrasjen e adoleshentes, tha Nabeela Gazanfar, zëdhënës i policisë së Punjabit.
Sipas inspektorit të policisë Murree, një urdhër arresti është lëshuar edhe për një individ të katërt.
Ministri i provincës Punjab ka caktuar një ekip prej tre anëtarësh për të hetuar rastin.
Dhuna ndaj grave mbetet e shfrenuar në vend, sipas Komisionit të pavarur të të Drejtave të Njeriut
në Pakistan.
Në vitin 2015, policia ka hetuar zyrtarisht 76 raste të grave të cilave u është vënë zjarri, sipas raportit të fundit të këtij komisioni./A.A.