60 perqind e femijeve nuk kane mundesi te hane mengjes, sipas UNICEF!
Me rastin e përvjetorit të nënshkrimit të konventës për të drejtat e fëmijëve, për herë të parë zyra e Observatorit në Tiranë prezantoi raportin “Varfëria e fëmijëve në Shqipëri”.
Ky është një raport krahasues për situatën e fëmijëve shqiptarë edhe me vendet e tjera të rajonit. Karta Raportuese mbi varfërinë është bazuar në tregues që matin përjashtimin social të fëmijëve dhe vë theksin në hartimin e politikave gjithëpërfshirëse sociale, me fokus nevojat e fëmijëve në vështirësi.
Shifrat që jepen në këtë raport janë skandaloze. Sipas tij, shkalla e varfërisë relative në zonën malore është 25.6% në vitin 2005 dhe 26.6% në vitin 2008, ndërsa hendeku i varfërisë po në këtë zonë është 5.1% në vitin 2005 dhe 5.6% në vitin 2008. Pjesëmarrja e fëmijëve në arsimin parashkollor (3-6 vjeç) dhe në arsimin e mesëm (mosha 15-18 vjeç), është nën 50 për qind në të gjitha rajonet e Shqipërisë (për vitin 2012 dhe vitin 2010).
Vetëm 44.4 për qind e fëmijëve arrijnë të konsumojnë vaktin ushqimor të mëngjesit në pesë ditë të javës, ndërsa vetëm 30.7 për qind e fëmijëve kryejnë aktivitete fizike. Shëndeti dhe siguria: rezulton se në zonën malore shkalla e vdekshmërisë foshnjore (vdekje për 1000 lindje të gjalla) dhe shkalla e vdekshmërisë fëminore (vdekje për 1000 lindje të gjalla të moshës 0 deri në 5 vjeç) janë në vlerat më të larta në krahasim me zonat e tjera të vendit.
Përkatësisht në vlerat e 38 vdekje për 1000 lindje të gjalla dhe 42 vdekje për 1000 lindje të gjalla. Për sa i përket peshës së ulët në lindje, rezultatet tregojnë se përqindja e bebeve të lindura nën 2500 gramë është në vlera të larta në zonën bregdetare dhe në Tiranë. Në të dyja këto zona, 4.7% e bebeve lindin nën 2500 gramë.
Të dhëna më të plota në linkun: http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/11/21/vdekja-foshnjore-e-larte-ne-zonat-malore/