A do te ndryshoje gje per LGBT nese fiton Bersani ne zgjedhjet e sotme ne Itali?
DEBATI I SE DIELES
Marrëdhënia e lëvizjes LGBT me Pier Luigi Bersanin, kandidatin për Kryeministër të së majtës italiane që pretendon të fitojë shumicën në zgjedhjet e sotme, ka qenë e komplikuar, me dritë hije e ulje-ngritje të shpeshta
Ndonëse është në të njëjtin koalicion me Niki Vendolën, politikanin që e ka nisur karrierën si aktivist gej, Bersani asnjëherë nuk ka qenë 100 përqind i qartë në lidhje me qëndrimin e tij qoftë për bashkëjetesën e komunitetit LGBT, qoftë për ligjin për martesat dhe të drejtën e adoptimit. Disa muaj më parë në konferencën e Arcigay ai megjithatë, u shpreh pro nisjes së një dialogu me lëvizjen LGBT dhe tha se fëmijët që rriten nga prindër gej nuk duhet të diskriminohen.
Por më në fund, përpara një jave, në kulmin e fushatës elektorale ai arriti të shprehej qartë në planet e tij. U shpreh për miratimin e një ligji specifik kundër homofobisë dhe brenda një viti hartimin e një ligji për unionet civile gej në formatin që ekziston prej shumë vitesh në Gjermani.
Ky do të ishte një hap cilësor përpara në Itali, vendi që së bashku me Greqinë mund të jenë dy vendet më të prapambetura në Europë përsa i përket legjislacionit që mbron të drejtat e komunitetit LGBT.
I paqartë ka qenë deri para pak kohësh edhe qëndrimi i Beppe Grillos. Por pas shumë presionesh nga ana e anëtarësisë LGBT të lëvizjes së tij, ai mundi të deklaronte gjatë një interviste për një radio rinore se LGBT nuk mund të konsiderohen si qytetarë të dorës së dytë./K. Pinderi/