A eshte kthyer mesuesia ne biznes? Leter nga nje maturant
Letra e mëposhtme ka mbërritur në redaksinë e Historia Ime nga një maturant. (Foto ilustruese)
“Ndëshkime për cilindo mësues që kryen kurse private për lëndën mësimore që jep në shkolla.” – MASH
Ligjërisht nuk lejohet që mësuesit e lëndëve të ndryshme të bëjnë kurse private mbi ato lëndë që japin mësim, por praktikisht a zbatohen këto ligje? A blihet nota me lekë? Në rastin e shkollave private, a blihet ajo cfarë ke paguar?
Në rastin e parë bëhet fjalë për shkollat shtetërore, ku pjesa më e madhe e mësuesve të lëndëve shkencore kryejnë kurse private mbi lëndët që japin mësim. Asgjë e cuditshme do të thoni ju, përvec faktit që kush nuk merr pjesë në këto kurse, “dënohet” nga ana e mësuesit me ulje note. Absurde, do të mendonit ju, absurde por e vërtetë ju them unë.
Faktorët pse mësuesit bëjnë kurse private janë të shumtë, mund të përmendim pagat, që sipas tyre janë të ulta. Së dyti, ka një numër të stërmadh nxënësish për cdo klasë, gjë që krijon problem në thithjen e informacionit. Në disa raste janë vetë nxënësit që kërkojnë kurse pasi mendojnë se në një mjedis me më pak bashkëmoshatarë, ata do të arrinin të kuptonin më mirë mësimin dhe kjo është pjesërisht e vërtetë. Por kur është vetë mësuesi që i thotë nxënësve të bëhen pjesë e kurseve nëse duan të mësojnë më shumë, atëherë këtu sapo ka filluar “Biznesi i mësuesisë”.
Deri në një pikë mund edhe të kuptojmë e të tolerojmë kurset nga mësuesit e shkollave shtetërore, por cfarë të themi për ato të bëra nga mësuesit e shkollave private për nxënësit e shkollave private?
Nuk është e majftushme rroga për ata? Apo është problem i infrasatrukturës të papërshtatshme për një mësimdhënie të mirëfilltë?
Mendoj se nuk është as njëra as tjetra, e as ndonjë lloj justiufikimi tjetër. E vetmja përgjigje që unë i jap vetes është ky slogan “Mirë se erdhët në botën e biznesit të mësuesisë”. Duke llogaritur se sa rrogë marrin këta mësues, si dhe sa fitojnë këta nga kurset, nxjerrim se nëse mësuesi jep një lënd mjaft të rëndësishme (si psh. lëndë të përfshira në maturën shtetërore), “rroga e tij e dytë” ajo e një biznesmeni të aftë dhe sipërmarrësi të ri në botën e mësimdhënies, është sa trefishi (mos më shumë) i asaj rroge mondane që ai merr nga punëdhënësi i tij.
Prindërit tanë paguajnë një shumë të caktuar lekësh në mënyrë që ne të marrim arsimimin e merituar, që mos të na mungojë asgjë dhe që të jemi gjithmonë më të mirët. Por a duhet vallë të jenë dhe ata kontribues në bizneset e reja të këtyre biznesmenëve të quajtur “mësues”?
Përgjigja është dhe duhet të jetë JO. MASH ka thënë që nxënësit të cilët evidentojnë kurse nga mësuesit e tyre duhet ti denoncojnë këto aktivitete të palicensuara (në drejtorinë e shkollës, drejtorinë arsimore, etj.), por a ndodh kjo?
Përgjigja është prap JO. Nxënësit nuk i mbrojnë të drejtat e tyre si nxënës dhe si qytetarë për të denoncuar një aktivitet të tillë pasi kanë frikë. Frikë nga mësuesi, jo si individ, por si një person që ka në dorë të ardhmen e tyre. Një person që mund ti cojë nga “Riches” në “Rags”. Nga majat më të larta në ato më të ulëta.
E vetmja gjë që më mbetet mua në dorë, apo cdo nxënësi tjetër të shkollave shtetërore apo private, është të përgjithësojmë, mos të denoncojmë individin por fenomenin, të shijojmë ultësirat, pasi mësues lekistë na kanë privuar privilegjin e të qenurit të barabartë me ata nxënës që frekuentojnë kurse dhe që pavarësisht nëse e meritojne apo jo, janë gjithmonë të vlerësuar më shumë se ne që kemi refuzuar të bëhemi punëtorë të papaguar të këtij biznesi të ri..