“Buke falas per ata qe nuk kane ta paguajne”
Jo shumë larg qendrës së Tiranës, në periferi të saj, përkatësisht në zonën e Paskuqanit, dy vëllezër kanë ndërmarrë një nismë shumë humane. Ata japin bukën falas për këdo që nuk ka mundësi ta blejë. Në supermarketin e tyre, në vendin ku tregtohet buka, shkruhet: “Nëse keni nevojë për bukë dhe nuk keni mundësi ta blini, ju lutem merreni falas”. Një rast sa human dhe i veçantë. Sipas Sefedin Ahmatit, njëri prej vëllezërve, kjo ishte një nismë e tij dhe e vëllait Hasimit, pas një vendimi familjar të tyre….
“Ideja që të kontribuojmë në këtë fushë, pra për të shpërndarë bukë, ka ardhur nga dikush që na tha se i kishte dërguar fëmijët e tyre në gjumë pa i ushqyer, sepse nuk kishte pasur me çfarë t’i ushqente. Na erdhi vërtet keq dhe menduam të bëjmë diçka. Meqë ne kishim dhe supermarketin tonë, vendosëm ta realizojmë idenë tonë”. Një numër i konsiderueshëm njerëzish marrin bukë këtu çdo ditë. Janë familje të cilat kanë vërtet një nevojë të madhe për ushqim dhe që vuajnë për bukën e gojës. Në derën e këtij supermarketi, kryesisht në mëngjes, por edhe në drekë, drejtohen familje të cilat varfëria i ka “robëruar”. Një familje merr aq bukë sa asaj i nevojiten në bazë të numrit të anëtarëve. Ahmati sqaron: “Një familje merr 1, 2, 3 bukë, sipas numrit të pjesëtarëve. Kemi pasur familje që kemi shkuar vetë për t’i ndihmuar, nga rekomandimet që kemi marrë nga njerëzit e tjerë. Një pjesë të familjeve në nevojë i njohim edhe vetë, pasi jetojmë në një zonë, ndërkohë të tjerë janë drejtuar për te supermarketi, por ne e kuptojmë që ata nuk kanë lekë për të paguar dhe ua kemi dhënë bukën falas”, shprehet Sefedini.
Marrë nga gazeta Shqip