Byreku dhe Enver Hoxha nuk dalin kurre nga moda! Shkrim nga Andi Kananaj
Nga Andi Kananaj
Edhe këtë verë nuk mungoi në qarkullim libri për jetën e Enver Hoxhës. Nuk mungoi as përshkallëzimi logjikisht i shpërpjestuar i nivelit dement të librit, kundrejt jehonës gjithëpërfshirëse në mediat e përditshme.
Enveri dhe këtë herë vinte në versionin aq shumë të vlerësuar nga publiku post modern i blogjeve dhe i gazetave në letër, si pervers i nivelityouporn, kanal me material të censurueshëm nën moshën 18 vjeç.
Autori (ç’rëndësi ka emri) na servirte ngjarje si çdo autor i letërsisë së re, duke treguar gojëdhëna të dëgjuara lart e poshtë nëpër atdhe. Enveri për shembull, nuk është larguar nga liceu i Korcës për shkak të ideve të veta komuniste, por për shkak të një komenti të tij, se vajza X nga “5 dyqanet” ishte e kolme. Paskësh qenë ky vlerësim për kilet e tepërta të një zonjushe të asaj kohe, arsyeja e vërtetë e degdisjes nga puna.
Jemi përballë një prove gozhduese që Enverin nuk e prishi komunizmi, por vetja dhe veset e tij të çuditshme. Sigurisht që lutjet e mia, pas leximit të përciptë të titujve të bujshëm nëpër gazeta vërdallë, shkojnë të gjitha për Zotin e pornos, që të mos qëndrojë në heshtje, por të flasë për klikimet e përditshme nga Shqipëria, që të mund të ulen me këmbë në tokë autorët dementë të librave për maskilistë të përbetuar. Megjithatë, meqë kjo nuk do të ndodhë edhe për ca kohë, m’u desh të kujtoja kohët para-erotike kur në Tiranë shiteshin ditën për diell letra bixhozi me femra të zhveshura, lexoheshin gazeta për bëmat e Mata Harit, e ndërkohë, me siguri askujt nuk i binte në mend për misionet politike të agjentes së famshme.
Tirana para-fetare jetoi edhe videot me celuar të një këngëtareje. U eksitua edhe me oralin e një vajze të mitur pa iu dridhur qerpiku për etikë qytetare. Megjithatë për autorin, komenti për vajzën e kolme ishte “tradhëti” që i kish’ bërë vetes diktatori. Enveri faktikisht ka kaluar disa stade vlerësimi në përceptimin popullor për seksualitetin e tij. Demokracia e gjeti homoseksual të sigurtë. Fëmijët ishin të Ramiz Alisë dhe Adil Çarcanit. Kjo nuk pengoi ndërkohë autorë të tjerë, në libra po aq të famshëm, që t’i faturonin vrasjen e Qemal Stafës, për motive xhelozie frenetike ndaj Nexhmije Hoxhës. Ngatërresa nuk është vetëm e tipit, nëse ishte gej pse duhet të vriste Qemalin dhe jo Nexhmijen, apo pse një njeri që shfaqej si feministi që hutoi Edit Piaf, nuk mund të fitonte dot njëkohësisht “duelin” me Qemalin pa futur në mes ushtrinë e fashistëve. Detaje që dhe mund të anashkalohen derisa problemi nuk qëndron në fakt te idiotësia e këtyre tezave, më shumsë se sa te trajtimi hiper seksist në çdo publikim anti-hoxhist, kjo e shtrirë dhe ndaj komunistëve çlirimtarë në përgjithësi.
Ideja se femra partizane ishte e përdalë, funksiononte në vitet ‘30 dhe e njëjtë vjen edhe në ditët tona. Nexhmija dhe shoqet e saj ishin sende në duart e komunistëve. E njëjta gjë edhe sot. Trashëgimtarët e këtij mentaliteti botojnë libra ku sensi është i njëjtë. Periudha nacional-çlirimtare ishte një farë kohe ekstra për orgji kolektive. Luftë nuk ka patur, kësisoj kush vritej e kishte nga dëshpërimi seksual. Kjo teori vjen e suksesshme se ambalazhohet si sulm ndaj një diktatori që fajtor në fakt është për vrasje dhe dhunë ndaj popullsisë dhe jo për mospërdorim prezervativi në moshën e rinisë. Por kush do të kishte kurajo të mbronte lirinë seksuale të dikujt që ka vrarë për vite me rradhë? Një njeri që në lindje pervers?
Botimet nuk sulmojnë vrasjet në thelb por modelin e jetës më liberale, duke e gjetur shkakun te egërsia e romanticizmit të trazuar. Nëse nuk je stabël në jetën seksuale, tregon se mund të jesh dhe një Enver i maskuar si njeri normal. Hej dreq, kur mendoj se unë do ta kisha akuzuar krejtësisht për për të kundërtën diktatorin. Në fakt, duke ndërtuar komunizëm me vlera katolike, ai pengoi mundësinë për emancipim të mëtejshëm. Atë që vinte pas shkollimit dhe heqjes së perçes kolektive, që na pengonte të shihnim femrën si qenie njerëzore prej shekujsh.
…
Enveri si diktator i vdekur është figurë e shkëlqyer për misionin e instituteve parazite të luftës kundër komunizmit, që duke mos patur asnjë aftësi për të prodhuar mendim, përfitojnë nga fakti se diktatori s’po del nga moda e thashethemeve vip. Sa herë ka një botim (rozë) kundër tij, sa herë që dikush del me dëshmi dhe pa prova, fiton sakaq lavdi prej disidenti, ndërkohë që maksimumi duhej paguar si paparac këngëtarësh turbo folk. Asnjë ngjarje tjetër nuk i ka rezistuar kaq gjatë vëmendjes publike. As viti ‘97, as shpërthimi i Gërdecit, as goli i Aliaj kundër Greqisë, as vrasja e Gaz Muçës, as ikja në stadiumin e Barit, apo çiftëzimikitch i ish mbretit Zog.
Fama e Hoxhës po kalon në kohë edhe dashurinë për byrekun, bamjet dhe djathin kaçkavall të shqiptarit normal nëpër botë.