Debimi i romeve i rrezikon Shqiperise marrjen e statusit
Dëbimi i romëve nga banesat e tyre mund të bëhet pengesë serioze për marrjen e statusit kandidat. Pikërisht në këtë pikë u vu theksi në takimin e Avokatit të Popullit me ambasadorin Wilton dhe përfaqësuesin e Delegacionit të BE Jochen Schult.
Duke folur pas një takimi me Avokatin e Popullit dhe përfaqësues të Komisionit Europian, Wilton tha se kjo çështje rrezikon statusin e kandidatit.
“Të zgjidhet çështja e strehimit të romëve e cila është shqetësuese dhe përbën rrezik për marrjen e statusit kandidat të vendit. T’u jepen romëve akses në shëndetësi dhe arsim. Sigurisht kjo kërkon kohë dhe nuk ndodh sa hap e mbyll sytë”, tha Wilton.
“Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së kanë një synim të veçantë, ju e dini shumë mirë, edhe për sundimin e ligjit, edhe për të drejtat e njeriut. Parimet tona janë mjaft të ngjashme me kolegët tanë të ngushtë në BE. Shoh këtu një rast edhe të sundimit të ligjit, edhe të të drejtave të njeriut dhe erdha këtu sot për t’ia shpjeguar Avokatit të Popullit shqetësimin tim ndaj këtij rasti këtu në Tiranë. Dëshiroj të shpall qartësisht mbështetjen time për shpalljen e tij për këtë rast dhe shpresoj që Avokati të marrë prej institucioneve përgjigje të mbarë. Qëndrimi i tij është i mbarë dhe shpresoj që prej policisë, prej bashkisë, prej institucioneve të marrë përgjigje të mbarë. Pyetja e tij është thjesht: ose ka këtu sundim të betonit ose sundim të ligjit”, tha Wilton.