DPA gjermane per zgjedhjet: “Te shtena, rrahje, manipulime, akuza”
Agjencia gjermane e lajmeve, DPA, vazhdon të editojë lajme mbi zgjedhjet në Shqipëri.
Pak para orës 14:00 DPA njoftoi për atmosferën e acaruar që po mbretëron në këtë vend.
“Të shtëna, rrahje, manipulime dhe akuza të rënda të opozitës: zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, të cilat nga SHBA-të dhe BE ishin cilësuar si test demokracie, të dielën pjesërisht dolën jashtë kontrollit. Në qytetin e Laçit (35 kilometra në veri të Tiranës) u vra një përfaqësues i opozitës së majtë. Një kandidat i qeverisë u plagos. Në qytetin port të Vlorës, në jug të Shqipërisë, një shpërthim shkatërroi veturën e një sekretari lokal të Partisë Socialiste”.
Më tutje DPA shton: “Politikani i opozitës së majtë Ilir Meta tha se në disa vendvotime në veri të vendit ‘kriminelët e armatosur dhe banditët’ po kërcënojnë zgjedhësit me urdhër të qeverisë. Sipas tij policia rajonale dhe lokale po i lejon ata të veprojnë dhe nuk po ndërhynë. Nga shumë lokalitete të vendit u bë e ditur për rrahje para lokaleve zgjedhore. Vëzhguesit e pavarur flasin për parregullsi masive. Sipas tyre zgjedhësit ishin lejuar të votojnë pa dokumente personale. Disa vendvotime u hapën me vonesë disaorëshe. Disa zgjedhës votuan për mbarë familjen. Në një rast procesi i votimit u ndërpre, sepse kishte më shumë zgjedhës se sa fletëvotime. Deri në mesditë votuan 23,5 për qind të 3,3 milionë zgjedhësve”.