Edicioni i trete i Festivalit Ballkanik te Filmit dhe Kulinarise “zgjon” pogradecaret
Edicioni i tretë i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë përfundoi në qytetin e Pogradecit me një mbrëmje gala ku u shpallën cmimet e këtij viti dhe u dorëzua për secilin një kupë e realizuar nga skulptori pogradecar Sofokli Koci. Kjo mbremje u prezantua nga aktorja Ema Andrea.
Ujkan Hysaj me filmin ‘Kolona’ është shpallur nga juria si fitues i filmit me metrazh të shkurtër; Ariel Shabani fitues i “Film Prestigj”, ndërsa kupën për filmin më të mirë e ka merituar realizimi kinematografik kroat “Halima’s Path”.
Në zhanrin e dokumentarit, juria ka përzgjedhur si më të mirin atë maqedonas të titulluar ‘Sound Seekers’ i cili mbante emrin e Suzana Dinevski.
PERULJA E MINISTRES SE KULTURES, KUMBARO
Në ceremoninë e ndarjes së cmimeve që u zhvillua në sheshin kryesor të qytetit të Pogradecit ishte e pranishme dhe ministrja e ardhshme e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro. Ky ishte event ii parë kulturor ku ajo merrte pjesë në cilësinë e detyrës që pritet ta marrë Brenda kësaj jave. Pasi bëri një përulje të sinqertë për të gjithë artistët e pranishëm në atë mbrëmje, znj. Kumbaro tha:
Ky festival është një ngjarje shumë e bukur, sepse është jo vetëm një festival filmi, por është dhe një festival kulinarie pra e shijes së gojës dhe të shpirtit dhe nëse mund të ngushëlloj pak kryetarin e Bashkisë, zoti Shkëmbi: festivali i filmit mbaroi, por ju e dini më mirë se sa unë që Pogradeci është festivali i kuzhinës së 365 ditëve, kështu që këtu na keni”.
TRE ORGANIZATORET DHE TRE AKTORET NDER I KOMBIT
Eno Milkani, një prej organizatorëve foli në emër të tre organizatorëve, në fakt, në emër të tij, të znj. Gerta Qurku dhe të z. Fatos Baxhaku.
Ai tha se pjesëmarrja në rritje e sivjetshme sidomos e qytetarëve të Pogradecit, “tregon se dashuria për filmin në ekranin e madh të kinemasë nuk ka për të vdekur asnjëherë”.
Ishte fakt që salla e kinemasë së qytetit ishte plot në secilën ditë të festivalit, edhe në orët e paradites. Këtë vit konkurruan në event 11 shtete, përfshirë Slloveninë, ndryshe nga viti i kaluar ku pati vetëm 7 vende ballkanike.
President Nderi i festivalit ishte z. Mirush Kabashi, ndërsa gjatë ditëve të tij ishin të pranishëm edhe aktorët Enver Petrovci, Margarita Xhepa dhe Rreshat Arbana, që të tre Nderi i Kombit.
E pyetur nga historiaime.al për festivalin, znj. Xhepa u shpreh: “Është përpjekja e këtyre tre të rinjve, Enos, Gertës dhe Fatosit, të cilët me dashuri, me përpëlitje të bukura artistike, dhe me shumë punë po sjellin artin në këtë qytet të vogël. Në Ballkan ka pasur gjithnjë vështirësi midis shteteve të ndryshme të tij, dhe kjo urë lidhëse, sepse arti është një urë lidhëse, ndihmon në sheshimin e këtyre vështirësive”. Sipas aktores së nderuar, “ky festival është gjëja më pozitive që kanë bërë këta të rinj duke prurë gjetje të bukura. Dhe ata ja kanë arritur qëllimit sidomos për të sjellë dashuri dhe vëllazëri në zemrat e njerëzve nëpërmjet artit”.
ENVER PETROVCI ZBULON POGRADECIN
Aktori nga Prishtina Enver Petrovski këtë vit, përmes pranisë në festival zbuloi për herë të parë edhe Pogradecin, qytet që ai nuk e kishte vizituar asnjëherë më parë. Ai ishte i mendimit që festival ii ka të gjitha mundësitë që të shndërrohet në një prej eventeve ballkanike më të rëndësishme në fushën e filmit dhe kulinarisë.
“Ky festival ka nevojë të rritet. Që nesër organizatorët duhet të fillojnë të mendojnë, të monitorojnë kinematografinë ballkanike dhe të bëjnë përzgjedhjet e filmave pjesëmarrës”, u sugjeroi ai, përmes historiaime.al organizatorëve të festivalit.
Eno Milkani, i pyetur gjithashtu nga historiaime.al tha se “këtë vit ka pasur shumë kureshtarë. Një gjë që më pëlqeu shumë është fakti që ka pasur shumë njerëz në kinema edhe paradite edhe pse tashmë pushimet kanë mbaruar dhe njerëzit janë kthyer në punë. U kënaqen të gjitha shijet ballkanike si nga filmat, atmosfera apo muzika sepse këtë vit kishim pjesëmarrje më të gjerë të artistëve”. Milkani shtoi se “kishte shumë artistë të rinj që nuk kanë mundësi të tjera si ta shfaqin punën e tyre. Fundja ky është qëllimi ynë, të promovojmë artistë të rinj nga shkolla të ndryshme”.
Një fakt shumë i rëndësishëm për suksesin e festivalit është edhe vendi, Pogradeci dhe njerëzit e tij dhe duhej pikërisht ky festival që të nxirrte në pah artdashjen e këtij vendi. “Kjo pasqyrohej nga sjellja e njerëzve me anëtarët e jurisë dhe të ftuarit e tjerë”, tha Milkani, “të tërë i komplimentonin, u ofronin kafe, donin të dilnin në foto me ta. Në këtë mënyrë ne donim tjua shpërblenim”.
Një falenderim të vecantë ai ia drejtoi kryetarit të bashkisë së Pogradecit z. Artan Shkëmbi si dhe gjithë të tjerëve që ndihmuan në realizimin e këtij festivali. Vitin tjetër? “Mendojmë që vitin që vjen tematika të rritet dhe do të kemi studiues të filmit Ballkanik nga Greqia dhe Rumania si dhe përfshirja e komedisë ballkanike”.