EKSKLUZIVE/Arvizu: Pjesa me e bukur e historise sime ne Shqiperi eshte se nuk ka mbaruar akoma
Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, z. Aleksandër Arvizu ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve të Historia Ime (historiaime.al) në një intervistë ku flet për herë të parë mbi disa çështje konkrete të të drejtave të njeriut
Cfarë mendon z. Arvizu për të drejtat e komunitetit LGBT?
Si i shikon ai përpjekjet e lëvizjes për të drejtat e gruas?
Cfarë mendon për lirinë e medias dhe të drejtën e aksesit në informacion?
Cfarë mendon për mënyrën si trajtohen të moshuarit në Shqipëri, fëmijët dhe grupet më të marxhinalizuara?
Ai flet për abortet selektive dhe për dhunën ndaj grave. Ambasadori i përgjigjet edhe një pyetjeje tjetër të rëndësishme: a pengojnë aksesin në drejtësi tarifat e larta të gjykatave dhe si është zgjidhur ky problem në SHBA?
Por mbi të gjitha cila është historia e tij me shqiptarët dhe Shqipërinë? “Me sfida frikësuese dhe me një shpresë të fortë për përparimin”, përgjigjet dhe shton: “Pjesa më e bukur e historisë sime në Shqipëri është se nuk ka mbaruar akoma”…
Lexoni të plotë intervistën ekskluzive të z. Arvizu dhënë portalit historiaime.al
Intervistoi Kristi Pinderi
Z. Ambasador, është vërtet nder për ne t’ju kemi këtu në këtë intervistë ekskluzive për Historia Ime, e cila në gjuhën tuaj do të thotë “My story.” Tashmë ju keni historinë tuaj në këtë vend. Si do ta përshkruanit me pak fjalë?
Historia ime në Shqipëri është e mbushur me miq të shkëlqyer, sfida frikësuese dhe me një shpresë të fortë për përparimin e vazhdueshëm të Shqipërisë. Kam pasur nderin të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës përpara një prej aleateve më mbështetëse. I vlerësoj mundësitë që kam pasur për të ndihmuar në promovimin e demokracisë në këtë vend. Pjesa më e bukur e historisë sime në Shqipëri është se nuk ka mbaruar akoma!
Historia Ime mbulon një sërë çështjesh, përfshirë të drejtat e komunitetit LGBT, të drejtat e fëmijëve, të drejtat e të moshuarve, etj. Çfarë komentesh keni në lidhje me lëvizjen për të drejtat e njeriut në përgjithësi në Shqipëri?
Kam marrë kurajë nga pjesa më e madhe e përparimit që kam parë që kur kam ardhur në Shqipëri. Si shoqëria civile ashtu edhe qeveria kanë bërë përparim në luftën kundër dhunës në familje, trafikimit të qenieve njerëzore dhe në mbrojtjen e disa grupeve të prekshme si komuniteti LGBT.
Vitin e kaluar pamë disa nga aktivitetet e para publike nga komuniteti LGBT dhe ishte inkurajuese të shihje mbështetjen e dhënë nga institucionet shtetërore, si policia dhe zyrtarët vendorë në mbështetje të këtyre grupeve. Kjo nuk do të thotë se përpjekjet tona kanë mbaruar me kaq – ka akoma fusha ku duhet të shikojmë përparim të mëtejshëm. Dhuna në familje është fatkeqësi që prek shumë vende dhe disa grupe të prekshme si romët e shumë pakica të tjera etnike akoma ndjehen shumë të dobët.
U dekurajova shumë kur lexova raportet e fundit nga studimet e OKB-së dhe Vizionit Botëror në lidhje me çekuilibrin gjinor në lindje. Abortet me qëllim seleksionimin gjinor në favor të fëmijëve djem janë një praktikë e tmerrshme, diçka që duhet t’i tronditë të gjithë shqiptarët. I bëj jehonë shqetësimit të shprehur nga Drejtoresha e Maternitetit Rubena Moisiu në intervistën e saj më të fundit: çekuilibri gjinor në afate të gjata mund të shkatërrojë ekuilibrin social të Shqipërisë, paqen, ekonominë dhe përbën një sulm për gratë. Ka akoma shumë punë për të bërë, por mendoj se përparimi në disa drejtime më bën të jem optimist se mjedisi i përgjithshëm për të drejtat e njeriut mund të përmirësohet kur shoqëria civile dhe qeveria punojnë së bashku.
Ju keni njohuri konkrete të realitetit shqiptar. Sipas mendimit tuaj, cilat mund të jenë sfidat më të vështira për shoqërinë tonë në përpjekjet e saj për të çuar përpara respektimin e të drejtave të njeriut?
Shoqëria ka nevojë për dy elemente thelbësore për të garantuar respektimin e të drejtave të njeriut: duhet të ketë vizionin për të parë të drejtat e njeriut si përparësi dhe duhet të ketë një mekanizëm për të mbrojtur individët. Qeveria nuk mund të vendosë përparësi në kundërshtim me popullin që ajo qeveris.
Nëse populli shqiptar nuk punon për të mbrojtur pakicat, nëse familjet nuk përpiqen të mbrojnë gratë dhe fëmijët, do të ishte joreale të mendohej se qeveria do të hynte e të vepronte në emër të tyre. Shqiptarët kanë emër të mirë për mikpritjen dhe mirësinë e tyre. Kur këto cilësi të drejtohen drejt komuniteteve dhe vendit të tyre, potenciali për ndryshim do të jetë tejet i madh. Kjo është arsyeja pse e ndërmora nismën ACT Now! (Vepro Tani): ajo është përpjekje për të bërë njerëzit të veprojnë mbi bazat e vlerave të komunitetit të tyre; të punojnë me udhëheqësit e zgjedhur; dhe të përmirësojnë komunitetet e tyre, përfshirë edhe fushën e të drejtave të njeriut.
Elementi i dytë, mekanizmi për mbrojtjen, gjendet në një sistem gjyqësor transparent dhe të drejtë. Viktimat duhet të kenë besimin se mund të shkojnë në gjykata, të besojnë se ligji do të zbatohet në mënyrë të drejtë dhe se ato do të mbrohen në përputhje me rrethanat. Nëse njerëzit nuk kanë besim në transparencën e gjykatave të tyre, ata përherë do të jenë objekte të abuzimit pa pasur mbrojtje.
Një pyetje që na shqetëson ne në Historia Ime dhe mua personalisht: Shqipëria ishte në vendin e 96-të në Indeksin e Shtypit të Reporterëve pa Kufij, renditja më e dobët në rajon. Sipas mendimit tuaj, cilat janë çështjet kryesore në lidhje me lirinë e të shprehurit dhe mundësinë për të marrë informacion në Shqipëri, dhe çfarë mendoni ju duhet bërë për t’i kapërcyer këto sfida?
Nuk besoj se njerëzit në Shqipëri janë të kufizuar në lidhje me ato që mund të shprehin. Kam parë e dëgjuar të gjitha llojet e kritikave dhe sulmeve personale të imagjinueshme lëshuar kundër drejtuesve të të gjitha bindjeve politike. Besoj se sfida më e madhe është fakti se zërat e paanshëm të arsyes nuk kanë hapësira për t’u shprehur. Ka shumë etje këtu për raportim të paanshëm. Njerëzit kanë nevojë të dinë se gazeta që po lexojnë apo lajmet në televizionin që po ndjekin nuk financohen nga një biznesmen i caktuar apo parti politike me program përdorimin e medias si mjet për të shitur ide të caktuara. Kjo gjë nuk mund të zgjidhet vetëm nga qeveria apo politika. Besoj se në më të shumtën e rasteve informacioni ekziston, por njerëzit duhet ta kërkojnë dhe duhet të jenë të gatshëm të paguajnë një çmim për të.
Presidenti Barak Obama është presidenti i parë i SHBA-së që përmendi fjalën “homoseksual” në fjalimin e tij të dytë të marrjes së detyrës javën e kaluar në Uashington DC. Si do të ndryshojë situata e grupit LGBT në botë gjatë katër viteve të ardhshme nga administrata e presidentit Obama? Si do të ndikojë politika e tij për liritë e grupit LGBT në Shqipëri gjithashtu?
Është e pamundur të parashikosh të ardhmen, por politika e presidentit Obama në lidhje me të drejtat e grupit LGBT ka qenë shumë e drejtpërdrejtë dhe e thjeshtë: të drejtat e grupit LGBT janë të drejta të qenieve njerëzore. Katër vitet e fundit kanë sjellë shtim të pranimit dhe mbrojtjes së personave LGBT në Shtetet e Bashkuara. Besoj se kjo prirje do të vazhdojë.
Në kuadrin global, përpjekjet tona për të mbrojtur komunitetet LGBT nga abuzimi dhe për të nxitur të drejtat e njeriut kanë pasur ndikim të ndjeshëm, edhe këtu në Shqipëri. Komuniteti LGBT në Shqipëri përballet me një sfidë të veçantë: ligjet kundër diskriminimit janë të mirëshkruara dhe më së shumti ka pasur mbështetje pozitive nga qeveria për komunitetin LGBT.
Ne i përgëzojmë përpjekjet e qeverisë shqiptare për të nxitur të drejtat e njeriut në lidhje me komunitetin LGBT. Kryeministri Berisha ka folur hapur në disa raste në mbrojtje të të drejtave të komunitetit LGBT për të ushtruar lirinë e të shprehurit, për të demonstruar, për të jetuar pa frikë abuzimi apo diskriminimi. Megjithatë, shoqëria është ende shumë armiqësore ndaj personave LGBT. Beteja këtu nuk është politike sa ç’është sociale.
Unë besoj se ndryshimi në Shqipëri do të vijë kur familjet dhe miqtë të jenë në gjendje të lidhin termin ‘LGBT’ me fytyra të njohura. Gjithmonë habitem me mënyrën se si ndryshojnë përshtypjet e njerëzve në lidhje me personat LGBT kur kanë mundësinë t’i njohin ata, kur zbulojnë se një shok apo shoqe e afërt është homoseksual/e ose kur punojnë me ta. Individët LGBT në Shqipëri janë ambasadorët më të mirë të vetes së tyre. Ajo që ne kërkojmë janë thjesht mënyra se si mund t’i mbështesim ata dhe mesazhin e tyre të tolerancës.
Një prej grupeve më të lëna mënjanë dhe ndoshta më të harruar janë të moshuarit. Mos ndoshta mungesa e kujdesit ndaj tyre do të thotë mungesë demokracie në vendin tonë?
Nuk e di nëse do ta karakterizoja si mungesë demokracie. Kujdesi për të moshuarit shikohet ndryshe nga kultura të ndryshme. Kam kaluar një pjesë të madhe të karrierës sime në Azinë Lindore ku detyrimet familjare për t’u kujdesur për prindërit e moshuar janë të mirëpërcaktuara e shumë të veçanta. Në Shtetet e Bashkuara ne e shikojmë ndryshe kujdesin për të moshuarit.
Në vendin tonë pavarësia dhe privatësia vlerësohen shumë dhe kemi komunitetet që ndihmojnë shumë të moshuar të jetojnë më vete për sa më gjatë të jetë e mundur. Kujdesi për çdo segment të prekshëm të popullsisë është përgjegjësi e përbashkët mes qeverisë dhe shtetasve. Qeveria ofron rrjete për sigurime shoqërore si kujdes mjekësor të përballueshëm dhe strehim sipas mundësive që kanë, por qytetarët gjithashtu kanë përgjegjësi të kujdesen për të moshuarit. Nuk e di nëse kjo është domosdoshmërisht pjesë e demokracisë më shumë se sa pjesë e ndërtimit të një shoqërie të njerëzishme.
Disa aktivistë vendorë, si avokatët e Res Publica, organizatë juristësh vullnetarë, si edhe BE-ja, kanë qenë të shqetësuar kohët e fundit sepse shumë grupe ose individë të lënë mënjanë nuk janë në gjendje të ndjekin çështjet e tyre në gjykatë për shkak të tarifave të larta. Ata mund të jenë pjesë e qindra e mijëra shqiptarëve që jetojnë nën (kufirin e varfërisë), gjë që do të thotë se kjo nuk është thjesht çështje administrative, por çështje e vërtetë e të drejtave të njeriut. Si mund ta shqyrtojmë këtë çështje?
Mundësia për të pasur drejtësi është një nga tullat e para në ndërtimin e funksionimin e demokracisë. Gjyqësori, më shumë se çdo institucion tjetër në qeveri, mbron të drejtat e pakicave dhe popullsisë së prekshme. Kuptohet që gjykata ka të drejtë të vendosë tarifa. Në Shtetet e Bashkuara ne kemi shumë gjykata dhe thuajse të gjitha kërkojnë një lloj tarife për të bërë padi. Megjithatë, kemi mekanizma që lejojnë gjykatën të heqë tarifën në raste kur pala nuk është në gjendje të paguajë. Është përjashtim i rëndësishëm që mundëson të gjithë qytetarët të kenë të drejta të barabartë për të përdorur sistemin gjyqësor.
Aktivistët e të drejtave të grave po nxisin për dënim maksimal për ata që kryejnë krime kundër grave dhe kundër kujtdo që dhunon gratë. Kjo vjen si pasojë e rasteve alarmuese të dhunës kundër grave. Cili mund të ishte mesazhi juaj për këtë situatë?
Dhuna me baza gjinore është tejet e përhapur dhe e vështirë për t’u luftuar sepse shpesh ndodh në shtëpi dhe pas dyerve të mbyllura.
Shqipëria ka ligje për të dënuar dhunën në familje dhe mendoj se ka pasur përparim të mirë në këtë front. Parlamenti dhe shoqëria civile kanë bashkëpunuar në këtë çështje në të kaluarën dhe mendoj se kemi parë rezultate pozitive.
Autorët e dhunës në familje duhet t’i nënshtrohen dënimit të ligjshëm. Kjo nuk mund të ndodhë nëse ligjet nuk zbatohen. Mendoj se ka pasur përparim por mund të bëhet akoma më shumë.
Mendoj se mund t’i përmirësojmë mekanizmat që inkurajojnë gratë të dalin hapur e të paraqesin ankesa te autoritetet. E dimë se viktimat shpesh ndjehen më mirë kur përballen me oficere femra në polici, dhe i përgëzoj përpjekjet brenda Ministrisë së Brendshme për diversifikimin e forcave të policisë. Ka disa streha të shkëlqyera që ofrojnë vend të sigurt për gratë e abuzuara, por nuk ka aq sa duhen për t’i shërbyer gjithë popullsisë dhe shpesh ato që janë kanë mungesë fondesh.
Fatmirësisht shoqëria po bëhet më e ndërgjegjshme ndaj dhunës në familje sepse gjithmonë e më shumë njerëz flasin për të. Ka debate televizive në lidhje me këtë temë, seminare kushtuar saj si edhe marshime publike. Fushatat ndërgjegjësuese të përqendruara si te viktimat edhe te autorët e krimeve mund të ndihmojnë në shmangien e abuzimit dhe në edukimin e abuzuesve në lidhje me burimet ekzistuese në ndihmë të tyre. Duhet të përqendrohemi jo vetëm te dënimi por edhe te mbrojtja e parandalimi.
Mendoni se kemi një lëvizje të vërtetë feministe?
Nuk mendoj se mund ta përkufizojë një ambasador i huaj këtë gjë për Shqipërinë. Mendoj se ka gra që janë të angazhuara në mënyrë aktive në nxitjen e barazisë gjinore. Mendoj se ka disa burra që janë të angazhuar në mënyrë aktive në nxitjen e barazisë gjinore gjithashtu. Lëvizjet feministe marrin pamje të ndryshme në varësi të kohës kur dhe vendit ku ndodhin. Nëse më pyesni në mendoj se gratë në Shqipëri po kërkojnë më shumë trajtim të barabartë, përfaqësim më të mirë në qeveri dhe më shumë role drejtimi në biznes dhe shoqëri, do të thosha në përgjithësi: “Po.” Mendoj se kjo është gjë shumë pozitive.
Po vijmë në fund, me pyetjen e fundit, tre organizata LGBT në Shqipëri kanë njoftuar se do të organizojnë gjatë shtatorit të vitit 2013 Marshin e Parë të Krenarisë së Homoseksualëve në Tiranë. A do të merrni pjesë nëse ju ftojmë, si mbështetje simbolike dhe konkrete për lëvizjen e grupit LGBT në Shqipëri? A është e mundur një gjë e tillë për një ambasador të SHBA-së sot?
Shumë ambasadorë të SHBA-së kanë marshuar në Parada Homoseksualësh anekënd botës. E mbështesim me krenari komunitetin LGBT në Shqipëri dhe mendoj se mund të shikoni disa prej nesh në Marshin e Paradës së Homoseksualëve në Tiranë!
Falemnderit
Falemnderit juve!