“Eshte e rende kur prindi thote: Me mire te ma marre Zoti djalin, se ta shoh keshtu”
Rritet numri i vartësve nga droga, por nuk ka klinika për trajtimin e tyre. Historia e Frrokut dita e të cilit fillon me përdoruesit e drogës, çastet e vështira, marredhëniet me perdoruesit dhe domosdoshmëria për trajtimin e tyre
Intervistoi Albina Hoxha
Në një kohë kur shifrat e përdoruesve të drogës po rriten nga dita në dita, institucionet për rehabilitimin e këtyre personave janë të pakta për të mos thënë që nuk ka fare. Por edhe personel të trajnuar mjekësor nuk ka. “Historia ime” ka zhvilluar një bisedë me Frrok Bardhin, i cili prej 5 vitesh u shpërndan metadonin vartësve të drogës në qendrën Aksion Plus.
Dita e tij fillon në këtë qendër, pas familjes së tij të parët që takon janë vartësit e drogës. Më parë i njihte të gjithë, ndërsa tani na rrëfen se janë shtuar persona të rinj.
Frrok, sa e vështirë është për ju të punoni me vartësit e drogës?
Është e vështirë pasi janë njerëz që kanë nevojë per ndihme. Përveç kësaj këto kohë ka pasur një fluks pacientësh. Janë persona që në momente të caktuara nuk duan t’ia dinë për asnjeri në botë.
Cili ka qenë momenti më i vështirë për ju?
Momenti më i vështirë në punë është kur përdoruesit bëhen të dhunshëm dhe kërkojnë me tepër metadon nga sa e kanë të përcaktuar. Sigurisht që unë nuk mund të plotësoj kërkesat e tyre. Mbajnë edhe thika me vete… janë të pavetëdijshëm ne ato caste. Ata thjesht e kërkojnë metadonin dhe nuk e kuptojnë se po morën më shumë se norma e lejuar kalojnë në mbidozë dhe përfundojnë në spital.
A ka pacientë me të cilet keni marrëdhënie më te veçantë se me të tjerët?
Ka, por janë më shumë se një. Janë persona familjarë të cilët bëjnë të pamundurën që të shkëputen nga varësia e drogës dhe janë shumë të rregullt në terapi. Mund të them se i trajtoj si miq… por edhe këta persona ka momente që nuk më njohin, çastet kur ata kanë nevojë për metadon ose drogë…
Për çfarë ju vjen keq kur shikoni pacientët që vijnë njëri pas tjetrit për të marrë metadonin?
Me vjen keq që kanë humbur fillin e jetës së tyre. Më vjen keq sepse është shumë e vështirë të shkëputesh prej drogës, më vjen akoma më keq kur i shoh që nuk kanë vullnet për ta lënë drogën dhe nuk janë të rregullt në terapi…
Çfarë i ka shtyrë drejt drogës? Çfarë keni mundur të kuptoni nga vetë ata?
Dy janë çështjet kryesore, qe une besoj se i kanë shtyrë drejt drogës, gjendja e vështirë ekonomike dhe papunësia.
Po familjarët e tyre i takoni, çfarë thonë ata?
Për familjarët është tepër e vështirë, sidomos në çastet kur ata kanë nevojë për drogë dhe bëhen të dhunshëm. Në ato çaste ata nuk njohin asnjë njeri, as prindërit e tyre. Më ka ndodhur të më thonë prindërit që më mirë të ma marrë Zoti djalin se sa ta shoh kështu. Kur e thotë një prind këtë është tepër e rëndë.
Çfarë duhet bërë me këta persona?
Ata kanë nevojë për trajtim të specializuar. Kanë nevojë për një mundësi të vërtetë për të rifilluar jetën e tyre. Ne këtu në këtë qendër bëjmë sa mundemi, por nuk e dimë se ç’bëjnë ata jashtë dyerve të qendrës, sa të aftë janë t’i rezistojnë tundimit për të marrë drogë. Megjithatë ka persona që ia kanë dalë mbanë. Shifrat ama janë të frikshme.
Cfare eshte metadoni? – Metadoni është një opioid sintetik i efektshëm në trajtimin e zvjerdhjes nga narkotiket, pasi është me veprim të gjate dhe shkakton më pak eufori se sa barnat e tjerë opioide. Ai jepet nga goja. Doza përshtatet në nivelin minimal te mundshëm, qe është ne gjendje te mposhte simptomat dhe pastaj pakësohet gradualisht përditë derisa ndërpritet.