Hiqet pezullimi i qumeshtit, analizat ne Itali njesoj si rezultatet e analizave shqiptare
Hiqet pezullimi i tregtimit të qumështit për sasitë e bllokuara. Ministria e Bujqësisë ka bërë me dije se rezultatet e laboratorit të akredituar në Itali janë të njëjta me ato të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, duke theksuar se konsumi nuk paraqet asnjë rrezik, njofton DITA online.
“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë me përgjegjësi të plotë garantojnë publikun se përdorimi i qumështit nuk parqet asnjë rrezik për shëndetin dhe sigurinë e konsumatorëve”, thuhet në njoftim.
Sipas tij, pjesa më e madhe e kampionaturave të qumështit të marra në tregun shqiptar kanë dalë në nivele më poshtë normativës së Bashkimit Europian, por ka pasur kampionatura që kanë dalë mbi këtë normativë. Sipas ministrisë, në analiza kanë rezultuar lloje të qumështit me përmbajtje të aflatoksinës 2 deri në 3 herë më shumë se niveli që rekomandohet në Bashkimin Europian, por këto nivele janë rreth 7 apo 8 herë më të ulta se niveli që lejohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe shumë vende të tjera të zhvilluara.
“Rezultatet e analizave, tregojnë që prania e Aflatoksinës te qumështi prodhim shqiptar është pak a shumë në nivele të njëjta dhe në qumështin që prodhohet në vendet fqinjë dhe në rajon. Këto rezultate rikonfirmojmë faktin që prania e shtuar e Aflatoksinës në qumësht, në të gjitha vendet e rajonit është e karakterit sezonal, dhe se mendohet që ky lloj myku ta ketë prejardhjen nga ushqimi i kafshëve”, thuhet në njoftimin e ministrisë.