I zbresin me force nga autobuzet, invalidet protestojne para bashkise Tirane
Protestojnë para bashkisë së Tiranës, por shprehen se do të protestojnë edhe para ministrisë së linjës. Sipas kreut të Shoqatës Kombëtare të Invalidëve të Punës, Abdulla Omuri invalidët po zbriten me dhunë nga autobusët, madje edhe duke pësuar dhunën e fatorinove. Protesta është bërë para bashkisë, pasi siç tha Omuri është ky institucion që cakton kriteret dhe lidh licencat me shoqëritë e transportit.
“Do të protestojmë edhe para ministrisë së Transporteve. Janë mbi 22 mijë persona invalidë që preken. Marrëveshja u shkel nga Shoqata e Transporteve. Vetëm linja Kamëz-Tiranë zbaton marrëveshjen për invalidët”, tha ai.
Shoqata e Transportit Qytetas vendosi të mos njihte më asnjë librezë apo dëshmi invaliditeti e për pasojë të mos ofronte transport falas për invalidët, pas disa ndryshimeve ligjore që lënë vend për interpretim.
Ministri Erion Veliaj, ka zhvilluar negociata me përfaqësuesit e Shoqatës dha u ra dakord që kjo e fundit do të respektojë ligjin për udhëtimin falas të invalidëve, duke filluar nga data 5 korrik 2014. U ra dakord gjithashtu një plan masash për të disiplinuar skemën e pajisjes me librezat e invaliditetit, për t’u siguruar që vetëm invalidët, të cilëve u takon kjo e drejtë me ligj, të përfitojnë udhëtimin falas.
a.k
Marrë nga ResPublica.al