INVESTIGIM/Reklamat e ilaceve si reklama per karamele! Ligji eshte evaziv
INVESTIGIM
Nga Albina Hoxha
Sapo ndez ekranin e televizorit në mes të një emisioni apo edhe të ndonjë edicioni informativ transmetohen reklama për ilaçet kundër alergjive të stinës, për ilaçet e zemrës, për kollë, rrufë… Reklamat janë të tilla që të duket sikur po flitet për karamele dhe jo për ilace.
Në asnjërën prej tyre nuk thuhet në fund që ky medikament nuk mund të pihet pa u konsultuar me mjekun ose pa lexuar udhëzimet në letrën shoqëruese. Ndërkohë që në çdo reklamë në vendet e Bashkimit Europian citohet frazat e lartpërmendura. Por a është kjo një shkelje dhe çfarë thotë ligji për këtë?
Në biseduam me mjekun hematolog pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, Arben Ivanaj i cili më parë ka qenë edhe Ministër i Shëndetësisë. Ai e fillon kështu përgjigjen e tij: “Duhet ndaluar me ligj çdo lloj reklame shëndetësore duke përfshirë këtu edhe reklamat për klinikat private.” Mjeku lën të kuptohet se kjo në fakt është një shkelje, më tej ai argumenton se: “Ligji është lënë qëllimisht evaziv, është lënë hapësirë për t’u interpretuar gabim dhe ky interpretim është i qëllimshëm. Në periudhën që unë drejtoja ministrinë është propozuar pikërisht kjo, ndalimi me ligji i reklamimit në shëndetësi, por kjo nuk ndodhi sepse shteti është mes një zgjedhjeje të fuqizoje privatin apo shtetrorin dhe veprimet e deri tanishme kanë treguar se shteti ka mbështetur privatin.”
Sipas mjekut shëndetësia është lënë qëllimisht pas dorë në këtë “luftë” të fituar nga privati i cili ka marrë më vete edhe financimet e sistemit shëndetësorë publik.
Ish-ministri dhe zëvendës ministër për 4 vite me radhë, njohës i mirë i ligjit dhe sistemit shëndetësor thotë së asgjë që ndodh nuk është e paqëllimshme.
Duke qëndruar tek efektet dhe dëmet që mund të shkaktojë një medikament tek pacientët nëse merret pa u këshilluar me mjekun duke iu referuar reklamës, Ivanaj thekson se është e dëmshme dhe rrezikshme njëkohësisht dhe sigurisht që përbën shkelje.
“Ligji ynë në fakt është i mirë, por ai duhet plotësuar me akte të tjera nënligjore për të bërë që ai të jetë tërësisht i zbatueshëm”, thotë Ivanaj.
Por në reklama iu kushtohet vëmendje edhe medikamenteve për fëmijë dhe efekteve të tyre “çudibërëse”. Lidhur me këtë ne kemi marrë edhe mendimin e mjekut pediatër, doktor Polikron Çela.
“Numri i ilaçeve që mund të merren në farmaci, pa recetën e mjekut ligjërisht është shumë i kufizuar. Mund të jepet p.sh. ndonjë ilaç për të ulur temperaturën, shurup sipas tipit të kollës. Këto kufizime të rrepta bëhen për disa arsye: Mjeku çdo medikament e jep sipas gjendjes, moshës dhe peshës së fëmijës, veç kësaj ai që mund t’i ketë bërë mirë njërit, mund t’i bëjë keq ose shumë keq tjetrit. Në mbrojtje të shëndetit të pacientit, ashtu si në të gjithë botën dhe në vendin tonë ka ligj. Për ta ilustruar po marr si shembull prindërit që vijnë me pushime nga Amerika ose nga ndonjë vend i Evropës, të cilët me gjithë përpjekjet e tyre, nuk mund të sigurojnë ilaçe jashtë atyre që përmenda. Fatkeqësia jonë është se tek ne nuk zbatohen ligjet”, argumenton mjeku.
Por cfarë thotë ligji?
REKLAMA E BARNAVE
Neni 52
Reklama dhe promocioni i barnave
1. Lejohet reklama me mjetet e informimit masiv vetëm për barnat OTC (janë barnat që merren pa recetën e mjekut), ndërsa për barnat e tjera bëhet promocion vetëm në literaturë ose në veprimtari shkencore profesionale.
2. Rregullat për reklamën dhe promocionin miratohen nga Ministri i Shëndetësisë.
Neni 53
Kufizimet e reklamës
1. Ndalohet reklama e barnave për efekte mjekuese, të cilat nuk janë shpallur në kohën e regjistrimit, si dhe fshehja e kundërindikimeve dhe e efekteve anësore të njohura.
2. Ndalohet reklama e lëndëve, që nuk përcaktohen si barna, sipas këtij ligji.
Pra ligji vërtet lënë hapsirë për t’u interpretuar në forma të ndryshme ndërkohë që nuk është plotësuar me akte nënligjore.
Lidhur me këtë çështje, Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Arif Shahini thotë se tek ne nuk reklamohet asnjë medikament i cili nuk është në listën e barnave OTC. Madje thotë që nuk ka pasur asnjë shkelje dhe as që ka lindur nevoja të nxjerrin një vendim për të kufizuar reklamimin e ilaçeve.
Letrat shoqëruese
Letrat që ndodhen në kutinë e ilaçeve dhe shpjegojnë se nga çfarë përbëhet ky ilaç, efektet dhe kush nuk duhet ta përdorë këtë medikament jo të gjitha janë në gjuhën shqipe. Sipas drejtorit të Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Arif Shahini, kjo nuk është një shkelje, pasi një kompanie e cila prodhon një sasi të pakët ilaçesh për ta sjellë në Shqipëri nuk mund t’i vihet kushti që dhe letra shoqëruese të jetë në gjuhën shqipe. Pjesa më e madhe e medikamenteve e kanë këtë informacion por ka edhe medikamente që nuk e kanë këtë letër në gjuhën shqipe. Në bazë të ligjit tonë, sipas Shahinit, kjo nuk përbën shkelje ligjore.