Krasniqi: martesat gej jane nje e “keqe e demokracise” ! Media ne Kosove e skandalizuar
Foto nga Kushtrim Ternava, gazeta Express
Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, ka shfaqur anën e vet konservatore, duke u shprehur kundër martesave homoseksuale. Ai thotë se martesat gay janë një e keqe e demokracisë. Gazeta Express ne Kosove e cileson kete “skandaloze”.
Kjo gazete komenton: “Jakup Krasniqi nuk i pëlqen demokracia, sidomos kur bëhet fjalë për respektimin e të drejtave të njeriut dhe respektimin e orientimeve seksuale. Deklarata skandaloze e Kryetarit të Parlamentit është bërë në një emision televiziv, pavarësisht se ai është një prej njerëzve që ka votuar Kushtetutën e Kosovës, e cila është tolerante në këtë aspekt”.
Krasniqit iu desh një pyetje e thjeshtë e një aktori, që tash po e udhëheq emisionin humoristik “Përrallë me tupan” të 1st Channel, që të tregojë se ai personalisht është kundër martesës dhe bashkëjetesës së homoseksualëve.
“Unë thash demokracia i ka të mirat dhe të këqijat e veta”, ka thënë Krasniqi kur u sugjerua nga aktori i Përrallës me Tupan që ta heq nenin nga Kushtetuta i cili e lejon bashkimin e dy personave të të njëjtës gjini.
Madje, Krasniqi ka hezituar edhe ta pranojë faktin se në Kushtetuta e Kosovës është tolerante ndaj martesave të të njëjës gjini, poqense kjo çështje do të rregullohej me Ligjin e Familjes. Ai ka insistuar se kësaj pune, nuk i thuhet martesë, por bashkim mes dy njerëzve.
“Martesa nënkupton vetëm bashkimin e dy gjinive të kundërta. Unë nuk thash… Por nuk ka martesë mes gjinive të njëjta, shpjegim tjetër nuk ka”, ka thënë Krasniqi, sipas të cilit demokracia ka anën e vet pozitive e sigurisht ka edhe anën negative.
“Ajo u jep mundësi zhvillimit të një konkurrence në vendime… Kjo është e mira, e keqja është që kjo hyrje e jona në demokraci e ka shkaktuar një partializim të madh të fuqisë politike të popullit tonë”.