Kur media shqiptare vendos te te masakroje
Në kuadër të nismës së historiaime.al për të denoncuar seksizmin në media
Një studente shqiptare e cila për pak humbi jetën në një histori personale të dhimbshme, tani duhet të përballet me një tjetër tentativë për ta vrarë!
Prej dy ditësh ka një shfrenim absurd dhe një tentativë të jashtëzakonshme të medies shqiptare, sidomos të gazetave, për të shitur kopjet e tyre duke nxjerrë në faqet e para foton e vajzës simpatike dhe duke rrëmuar për detaje që të kujtojnë një mani seksizmi thuajse perverse të disa gazetarëve të kronikës apo të atyre që e kultivojnë këtë lloj gazetarie.
Panorama dhe Shekulli, teorikisht dy ndër gazetat më të medha në vend kishin botuar fotografitë e vajzës dhe e kishin konsideruar për të dytën herë historinë e saj dhe të një burri që vrau veten pasi shtiu me armë ndaj vajzës, si kryeartikull.
Madje Shekulli kishte dhe një absurditet tjetër: Botonte foton e vajzës bashkë me një mashkull që ata e identifikonin si të fejuarin e saj. Por këtij të fundit i kishin mbuluar fytyrën, ndërsa vajzës vetë jo!
Ne kemi disa pyetje:
A po punon këto dite institucioni i Komisioneres për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, apo është me pushime?
A mund të ketë ndonjëherë një debat gjithpërfshirës në Shqipëri për keqpërdorimin e të dhënave personale të qytetarëve?
Kur do edukohen gazetarët e kronikës por edhe shefat e tyre që nuk vidhen më në vitin 2013 foto nga Facebooku për tu perdorur në faqet e para të gazetave?
Cila ka më shumë rëndësi: mania për të shuar kuriozitete perverse të një lexuesi që me shumë gjasa është më i edukuar se gazetat (ky kuriozitet me shumë deficencë e redaksive, shumë shpesh shitet si interes publik), apo jeta dhe e ardhmja e një vajze që i shpetoi për mrekulli vdekjes?
Dhe kemi një pyetje të fundit: Si ka mundësi që ngjarje edhe më të dhimbshme se kjo nuk pasqyrohen po si kjo histori nëpër gazeta? A do të kishte më pak interes, fjala vjen, në rast se vajza nuk do të kishte hiret natyrale qe ka si një vajzë e bukur dhe e re?!
/REDAKSIONALE/