“Marko ne kerkim te nenes” dhe Papa Francesku
Teksa e gjithë bota katolike gëzon zgjedhjen e Papa Françeskut, janë disa nëna që jo vetëm nuk janë të lumtura me këtë zgjedhje, por kanë vite e vite të tëra që kërkojnë të drejtën e tyre, teksa papa aktual, atëherë një arqipeshkëv i rëndësishëm i Argjentinës, qëndronte në heshtje përballë dramës së tyre
Bëhet fjalë për nënat e “Plaza de Mayo”, apo më saktë nënat e organizatës të krijuar nga prindërit e të gjithë të rinjve të cilët u rëmbyen, u burgosën, torturuan dhe u zhdukën mes viteve 1976 dhe 1983 gjatë kohës së diktaturës në Argjetinë, apo asaj që quhet “lufta e ndyrë”.
Gjithçka që ato kërkojnë edhe sot e kësaj dite është që t’u kthehen fëmijët, eshtrat e tyre.
Në një periudhë të caktuar historike, kur kishte ardhur në pushtet presidenti Raul Alfonsin, shteti për të mbyllur një kapitull shumë të herët të historisë u ofroi atyre dëmshpërblime financiare, pothuajse qesharake. Shumë prej tyre, të detyruara nga skamja ulën kokën dhe e pranuan ofertën, por shumë të tjera qëndruan të forta dhe që nga ajo kohë e deri më sot, mblidhen çdo javë në sheshin Placa de Mayo në Buenos Aires duke bërë një marshim që të ngjan me një procesion morti.
Problemi i tyre me Papën aktual ka të bëjë me faktin që ai heshti, edhe kur ndodhnin rrëmbimet dhe zhdukjet, por edhe më vonë kur ato u organizuan për të kërkuar të drejtat e tyre. Ky, në fakt, është dhe një kapitull i herët i papës aktual.
Koha për të cilën flasim dhe problemi në fjalë është lehtësisht i identifikueshëm për shqiptarët përmes një filmi Italian të titulluar “Marko në kërkim të nënës” të transmetuar në fillim të viteve 90-të në televizionin publik shqiptar.
Ky film serial televiziv i vitit 1990 (që në origjinal e ka titullin Nga Apeninet në Ande) i regjisorit Pino Passalacqua bazohet në një libër të Edmondo De Amicis që në fakt është një libër shumë i lexuar dhe në Shqipëri e që titullohet “Zemra”.
Libri ishte shkruar në shekullin 19-të, por regjisori i filmit e përshtati atë në vitet e diktaturës në Argjentinë.
Nëna e Markos ne film, është pikërisht një prej mijëra viktimave të zhdukura, për të cilët nënat e tyre akuzojnë papën aktual se ka heshtur…
/k.p./