Moratoriumi per gjuetine
Pas mbylljes së shumë furrave të gëlqeres në zonën e Krujës, një tjetër lajm i mirë vjen nga fronti i ruajtjes së mjedisit.Shqipëria ndalon për dy vjet gjuetinë e shpendëve dhe kafshëve në të gjithë territorin e saj, sipas një projektligji të qeverisë, paraqitur në parlament. Moratoriumi ka ardhur si pasojë e nevojës për përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie në vend.
Në nenin dy të tij parashikohet dhe pezullimi i të gjitha lejeve dhe kontratave të gjuetisë. “Lejet e lëshuara të gjuetisë si dhe përdorimi i zonave të gjuetisë, të dhëna për këtë qëllim nëpërmjet ofertës publike, bazuar në ligjin nr.10253, datë 11.3.2010, “Për gjuetinë”, të ndryshuar, pezullohen”, – thuhet në këtë nen. Ndërkohë që kontratat për mbarështimin e faunës së egër do të vazhdojnë të jenë të vlefshme, por në zonat e mbarështimit të faunës së egër nuk mund të ushtrohet gjuetia deri në afatin e zbatimit të këtij ligji.
Në nenin 4 përcaktohen sanksionet për shkelësit e këtij moratoriumi dhe masat parashikohen të jenë vërtet të ashpra: Në rastet e kundërvajtjes administrative dënimi me gjobë shkon nga 800 mijë-1 milionë lekë dhe konfiskohet arma e gjahut e mjeteve të tjera të gjuetisë. Pjesë e këtij moratoriumi nuk do të jetë gjuetia e faunës ujore, qoftë kjo lumore, liqenore apo detare./respublica.al/