Ndahet nga jeta aktori me i dashur i humorit
Aktori Roland Trebicka është ndarë nga jeta në moshën 65-vjeçare.
Ai vuante prej disa vitesh nga një sëmundje e rëndë dhe nuk ka mundur dot që t’i mbijetojë asaj.
Trebicka konsiderohet si një prej aktorëve më të mirë të teatrit shqiptar, me rolet e tij të shumta, teksa është bërë i pavdekshëm me rolin e Jovan Bregut tek komedia “Pallati 176”.
Karriera
Roland Trebicka lindi në Korçë, në vitin 1947.
Karriera e tij si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961-shin.
Ndoshta që këtu e ardhmja e tij ishte vendosur. Humori spontan, i cili i buron dhe në momentet më të vështira u shqua qysh në në kohën e shërbimit ushtarak, ku shërbeu si aktor në Estradën profesioniste të SHQUP (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore), e njohur si “Estrada e Ushtarit”.
Vitet në këtë trupë profesioniste ishin për Trebickën stazhi i nevojshëm që i hapi më pas rrugën drejt Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. U bë anëtar i trupës së Teatrit Kombëtar më 1971-shin dhe punoi aty deri në vitin 1999.
Pas një përvoje trevjeçare me kompaninë “Publimedia”, u kthye në Teatrin Kombëtar. Shumë e identifikojnë me rolin e Jovan Bregut në komedinë “Pallati 176”, por rolet e Trebickës në teatër janë të shumta.
Në 40 vite karrierë ka realizuar një mori rolesh si atë të Xhenarinos te “Magjia e madhe”, Zganarelit te “Don Zhuani”, Hlestakovit te “Inspektori” (“Revizori”), për të ardhur më afër në kohë me pjesë si “Si e mposhta Musolinin”, “Pleshti në vesh”, “Magjia e verës së kuqe”, “Berberi i Seviljes”, “Dadot”, etj. Në vitin 2002, për rolin e Rojës te “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kandidat për çmimin “Aktori më i mirë mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental në Kajro. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden “Ëndërr për një karrige” dhe “Koncert në vitin 1936”.
Është nderuar me titullin “Artist i merituar” .