Nje prift akuzon levizjen feministe shqiptare si hipokrite
Shkruan Dom Gjergj Meta: “Ajo çka çudit në këtë çështje është një lloj hipokrizie e lëvizjeve feministe, pasi pikërisht ato janë selektive. Nga njëra anë lëvizjet feministe mbrojnë idenë e lirisë së gruas për të zgjedhur abortin e nga ana tjetër dënojnë abortin selektiv“
Në përballjen e tyre të përjavshme në gazetën Mapo të së shtunës, Gilman Bakalli dhe Dom Gjergj Meta shkruajnë sot në lidhje me abortin.
Rubrika ka fizionominë e një përballjeje jo vetëm mes dy njerëzve, por mbi të gjitha mes dy botëkuptimeve.
Duke shpjeguar qëndrimin zyrtar të Kishës Katolike mbi abortet, prifti Meta shkon deri atje sa ta quajë hipokrite lëvizjen feministe shqiptare. Ai shkruan:
“Ajo çka çudit në këtë çështje është një lloj hipokrizie e lëvizjeve feministe, pasi pikërisht ato janë selektive. Nga njëra anë lëvizjet feministe mbrojnë idenë e lirisë së gruas për të zgjedhur abortin e nga ana tjetër dënojnë abortin selektiv, duke thënë se dikush nuk mund të vritet pse është femër. Në këtë rast na qenka vrasje, ndërsa në rastet e tjera qenka liri zgjedhjeje”. Dhe shton:
“Kjo skizofreni themeltare është trajtë e qartë e skizofrenisë së modernitetit tonë që duke nxjerrë nga dera vlerat, në emër të pseudolirisë individuale, shtien nga dritarja gjysma vlerash (selective)”.
Ne të Historia Ime jemi tashmë familjarë me konceptin fetar për këtë çështje. Por si në shumë raste edhe këtë herë, qartazi priftërinjtë ngatërrojnë (me dashje) thelbin e çështjes.
Lëvizja feministe në Shqipëri promovon të drejtën që gruaja ka për të vendosur vetë për trupin dhe jetën e saj. Rastet e abortit selektiv (dmth abortit kur fëmija në bark është femër), ashtu siç tregojnë statistikat nuk janë shenjë e lirisë së gruas.
Përkundrazi, ato janë një tregues më shumë se gruaja nuk është e lirë të vendosë në këtë vend. Janë burrat që duan djem, ata që terrorizojnë akoma gratë e tyre kur marrin vesh se po rrisin një vajzë në bark dhe jo e kundërta. Për pasojë janë burrat që vendosin me arrogancën gjinore dhe patriarkale që fëmija vajzë të abortohet!
Papa Gjon Pali I (ne foto djathtas) ishte një ndër papët më të dashur në historinë e katolicizmit. Por ai u gjet i vdekur në ditën e 33-të të Papatit të tij…
Eshtë ende një mister që vazhdon edhe sot e kësaj dite të ngjallë teori të ndryshme konspiracioni për një eliminim të mundshëm të tij.
Para se të bëhej Papë, si pjesë e një komisioni që do të shqyrtonte të dhënat për abortet dhe sidomos për përdorimin e kontraceptivëve në një Itali që fuqishëm po modernizohej, ai mbahet mend të ketë qenë pro të drejtës së prindërve për të bërë zgjedhje radikale në jetën e tyre. Sidomos për çështjet e kontraceptivëve ka qenë shumë më i përparuar se çdo klerik tjetër. Ka thënë:
“Do duhet ta mendojmë me më shumë mirëkuptim këtë çështje… Unë nuk kam zemër t’i them një babai me 7 fëmijë, i cili është i vetmi që punon për të siguruar bukën e gojës për gjithë familjen që të mos përdorë kontraceptivët. Thjesht nuk mund ta bëj dot këtë…”
Më tej, në Mapo, Gilman Bakalli, duke i dërguar një letër Florije Pecit, të mbijetuarës së aksidentit të Himarës që e gjeti papritur veten shtatzënë, përgjigjet ndaj teorisë së klerikut:
“Po të përshpërisin papushim se fetusi që ke në bark është një person tashmë dhe si i tillë nuk duhet mbytur. Eshtë mëkat! Eshtë gjynah! A e kupton?
Po të injorojnë qysh tani, ty dhe dhimbjen tënde!
Po ta injorojnë të drejtën tënde për të vendosur sot për jetën tënde.
Duan t’i shtojnë barrës tënde fizike edhe barrën morale si një vrasëse fëmijësh!
Prandaj unë të jap plotësisht të drejtë ty Florije, nëse ti aborton një fëmijë që nuk është dhuratë e Zotit, sepse Zoti nuk të jep pa iu lutur! Barku yt të përket ty!”
/K. Pinderi/