(OPINION) Mjedisi dhe shendeti jane te fundit qe mendojne shqiptaret qe protestojne sot
OPINION
Kristi Pinderi
Ka një paradoks: kemi në Shqipëri një prej nismave mjedisore që ka patur sukses në mënyrë spektakolare, në atë mënyrë që vende të tjera do e kishin zili, siç është AKIP, ama jetojmë në vendin që ka ndërgjegjen më të ulët mjedisore në Europë.
Se fjala vjen, nuk do bëheshim që të gjithë, kush më pak e kush më shumë pjesë e shkatërrimit mjedisor të këtij vendi, të shkatërrimit urban, të shkatërrimit të pyjeve, të lumenjve, të ambienteve tona të përbashkëta komunitare, të bregdetit, të shkatërrimit të faunës e florës, pra të shkatërrimit të pothuajse gjithçkaje që na rrethon.
Peshqit i gjuajmë me dinamit, mjelmat i vrasim me çifte, pemët i presim që kur janë filiza, 60 përqind të llojeve të egra nga bota e kafshëve i kemi larguar nga malet apo territoret tona, liqenet i kemi tharrë, brezat e parë të shkurreve i djegim, gomat gjithashtu i djegim, hekurat i vjedhim që pastaj ti shkrijmë (ka vite qe arkeologet duan te prezantojne konceptin e arkeologjise industriale per tu dhene kuptim megastrukturave te fabrikave qe kemi trasheguar), ajrin qe thithim ne e femijet e ketij vendi e kemi bere me te ndoturin ne Europe, etj, etj.
Ne jetojmë çdo ditë në një ambient që e shëmtojmë çdo ditë e që pavarësisht se na duket i shëmtuar sërish nuk na dhemb aq shumë sa ti themi ndal kësaj shëmtie, mbyllemi në shtëpitë 40, 50, 60 metra katrorë me ndonjë shtesë të palegalizuar mundësisht dhe gënjejmë veten duke thënë: Shqipëria është e bukur, i ka falur Zoti natyrën!
Nuk protestojmë as edhe për çështje të shëndetit se jemi të fundit që shqetësohemi për shëndetin (jo se nuk e duam por se besojmë akoma se nuk varet nga ne). Qarkullon akoma ajo shprehja: “shqiptarët janë të fortë e durojnë”.
Kishte dhe një batutë ironike e për dikë edhe fyese këto ditë pak a shumë kështu: “Nuk zgjidhim dot erën e njerëzve nëpër autobuzë jo të zgjidhim armët e Asadit”, etj.
Ka edhe një tjetër paradoks: Jetojmë çdo ditë me raste flagrante të nëpërkëmbjes së të drejtave tona, por nuk guxojmë të organizohemi ndonjëherë me të njëjtin nerv siç po shohim këto ditë të organizohen qytetarë me interesa e mendime nga më të ndryshmet, për një kauzë të përbashkët.
Po cila është në të vërtetë kjo kauzë e përbashkët që për arsyet e mësipërme, mua më duket qartazi që nuk vjen si pasojë e ndjeshmërisë sonë mjedisore?
Unë besoj se këtu po protestohet kundër shpërfilljes që politika u bën interesave qytetare. Po protestojmë nga nevoja që kemi për të qenë pjesë e vendimmarrjes (meqë e provuam me sukses këtë vit në qershor se mund të marrim vendime në rast se na lenë).
Besoj se po protestojmë edhe sepse një brez i ri qytetarësh po formohet ndryshe, gjithnjë e më shumë me nervin dhe ndërgjegjen reaguese që karakterizon qytetarët perëndimorë.
Sigurisht, në shoqëri të painformuara dhe në vende ku dhënia e informacionit nuk konsiderohet si detyrë kushtetuese, protestohet edhe për shkak të panikut. Cdo shoqëri panikoset dhe shumë vetë, ndonjëherë shtete e struktura të tëra përfitojnë nga paniku kolektiv. Po protestohet edhe sepse krahasimi “kosh plehrash i Europës” (në rastin konkret akoma më keq: kosh plehrash i botës), duket sikur acaron më shumë karakterin e një populli që beson akoma te ajo: “më mirë syrin se namin”.
Po protestohet edhe ngaqë shqiptarët nuk duan më të kenë një qeveri arrogante që bën gjithçka pa pyetur askënd.
Që të gjitha këto arsye vlejnë! Protestën tjetër le ta bëjmë vërtet për mjedisin që të mos dorëzohemi si psh, z. Maks Velo që thotë se kjo që u bë nuk zhbëhet.