Pro dhe Kunder vendimit, ja cfare shkruhet sot
Fatos Lubonja: Protesta, fillimi i luftës për të ndryshuar, Rama, mallkime në vend të ndjesës
“Ndërkaq, ngjarja e fundit duke përfshirë edhe fjalimin e Ramës, ma ka thelluar edhe më kontradiktën, pasi është sinjal i pastër se ky Kryeministër, që nuk duhet t’ia uronim asesi dështimin, e ka dështimin të shkruar në ballë. Fjalimi i tij ishte ogurzi për mua në këtë drejtim.
Nga pikëpamja e gjendjes së tij psikologjike (fatmirësisht jo e pasojave) më kujtoi Hitlerin, që kur po humbte luftën për fajin e tij, mallkoi popullin gjerman që nuk e meritonte një lider si ai. Fjalimi ishte një shoshë me gënjeshtra që kërkonte të mbulonte diellin e së vërtetës që e pa çdo shqiptar: e para, se ajo që ai donte të bënte ishte në dëm të Shqipërisë dhe vetëm në interes të tij e të pushtetit të tij personal e prandaj dhe e kishte mbajtur fshehur – sepse përndryshe do të na e kishte thënë me gaz që ditën e parë, siç na tha, pa u bërë ende kryeministër, se do të shkonte në luftë në Siri – dhe e dyta, se atë e detyroi të sprapset presioni i madh popullor, ku duhen futur edhe njerëzit e tij, dhe jo opozita e mallkuar dhe grupe mediatike që e paskan manipuluar rininë. Shkurt, në vend se të dëgjonim një ndjesë të madhe, madje edhe një dorëheqje, dëgjuam mallkimet e fyerjet e një njeriu që të kujtonte në disa pasazhe fjalimet e Enver Hoxhës kur fliste për Bashkimin e lavdishëm Sovjetik”.
Prec Zogaj: Levizja historike e Nëntorit
“Mori goditje gjithë një politikë e vjetër që po tentonte ta nxirrte popullin nga skena duke mos e pyetur për asgjë dhe duke i blerë votën. Më bëhet të besoj se me këta protesta shoqëria mori në dorë “monopolin” e vendimmarrjeve të mëdha. Si të tilla këto protesta e ndanë sërish në dysh kohën e Shqipërisë, kësaj radhe brenda sistemit demokratik: Kohën para nëntorit 2013, kur publiku nuk pyetej për asgjë, dhe kohën pas nëntorit 2013, kur publiku nuk mund të mos pyetet e të mos vendosë për çështjet e mëdha. Mirë se erdhe demokraci shqiptare në erën e shoqërisë së lirë.”
http://mapo.al/2013/11/16/prec-zogaj-levizja-historike-e-nentorit/
Dritëro Agolli: Rama nuk doli kunder popullit, Brace karkalec
“Unë mendoj se Edi Rama mbajti një fjalim shumë të mirë dhe dha arsyet ku u mbështet për të mos pranuar armët kimike siriane. Unë kam qenë kundër ardhjes së këtyre armëve, siç e kam thënë te “Panorama” dhe do të jem kundër të gjitha armëve. Shkallë pas shkalle, Edi Rama sqaroi me argumente arsyet pse nuk i pranoi këto armë. Fjalimi i tij ishte prej një drejtuesi të kulturuar. Edi Rama nuk doli kundër popullit të tij. Një deputet i PS-së tha “dikush tha se po të vijnë armët kimike këtu nuk do të jetojë dot as karkaleci”. Ai “dikushi” jam unë dhe unë kam një emër, nuk jam dikushi. Këtë të shkurtrin, që është më i shkurtër se gratë deputete, e zuri frika se do të mbytej dhe ai si karkalec. Saç kam shkruar unë libra, ai karkaleci nuk ka ngrënë patate.”
http://mapo.al/2013/11/16/driteroi-rama-sdoli-kunder-popullit-brace-karkalec/
Alfred Lela: Rama duhet të kishte thënë PO
“Bazuar mbi tekstin që ka lexuar dje para miliona shqiptarëve, në ankth e kureshtje, kryeministri im, kryeministri juaj dhe kryeministri i Shqipërisë, duhet të kishte thënë PO. PO, sepse ka, në fund të fundit, e ta marrë e mira!, njëfarë hipokrizie në gjithë atë se duam të jemi pjesë e botës globale: e trendeve, modave, teknologjive dhe gjithë industrisë së tundimeve të saj, por asnjë teklif dhe barrë që mund të na vijë rrugës tonë, asnjë peshë të mos na e rëndojë shpinën mikroborgjeze. Shqipëria, me atë JO, ka mbetur edhe njëherë jashtë botës, e po të duash ta kuptosh sa jashtë, merr të përditshmet e saj kur ç’ndodh tej ‘vijave të kuqe’ të territorit të Republikës së Shqipërisë është irelevant dhe aspak interesant (përjashto kur Kim Kardashian ekspozon armët e saj erotike). Karuseli i botës ku jetojmë, kësaj radhe nuk u rrotullua me karamele ndihmash që na vijnë nga jashtë, por me ngarkesa lëndësh kimike (jo armë kimike!).”
http://mapo.al/2013/11/16/edi-rama-duhet-te-kishte-thene-po/
Rexhep Qosja: Ky ishte vendim historik, Rama dëgjoi zërin e popullit
“Dita e sotme ishte një ditë historike për Edi Ramën, por një ditë historike edhe për demokracinë shqiptare. Fjala e Edi Ramës, e shqiptuar sot (dje) në ora 17:00, është fjalë që dëshmon se Shqipëria e çshtetëruar prej Sali Berishës po bëhet sot shtet kulturor demokratik, kurse politikës së tij primitive po i sjell vdekje komike trashëgimtari gojështhurur dhe mendjerrudhur!”
http://respublica.al/opinion/2013/11/16/ky-ishte-vendim-historik-rama-degjoi-zerin-e-popullit-te-tij
Adrian Thano: Një fitore apo një rast i artë i humbur?
“Ndihemi krenarë që shpëtuam veten. Po mund të ndiheshim ca më shumë krenarë nëse do ta provonim dhe do dilte me sukses. U treguam protestues të mëdhenj? Apo njerëz të vegjël? Ajo që ndodhi po përshëndetet si fitore e demokracisë. Sot, po. Po nesër? Kjo protestë mund të ishte vërtet spontane dhe e sinqertë. Na mësoi që nuk ia paskemi më frikën sheshit përballë kryeministrisë. Dhe shumë mirë që më në fund ngjau. Po marifetçinjve të protestave çfarë u mësoi? Jam i sigurt që ata do rikthehen aty në shesh me kauza të tjera të sajuara. A do tërhiqet vazhdimisht kryeministri? Sa herë do tërhiqet? Kush do lodhet më shpejt?”
http://respublica.al/opinion/2013/11/16/shenim-nje-fitore-apo-nje-rast-i-arte-i-humbur
Gjergj Erebara: Protestuesit triumfojnë, Rama thotë JO
“Ndërkohë, në Tiranë çdo grupim shoqëror u angazhua në mbështetje të protestës. Xhamitë e Tiranës mbyllën faljen e së Premtes dhe shkuan në bulevard, krahas aktivistëve për të drejtat e romëve dhe egjiptianëve, komuniteteve fetare katolike, e protestante njerëzve me aftësi të kufizuar, si dhe aktivistëve të të drejtave LGBT. Të gjithë treguan një akt të rrallë uniteti kombëtar, megjithëse pati raste kur mosmarrëveshjet e vjetra u rishfaqën edhe në shesh”.
http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/11/16/protestuesit-triumfojne-rama-thote-jo-shba-se/
Fatos Baxhaku: Kushti VI per ne Perendim
Rezultati më i parë pozitiv i ngjarjeve të fundit është se pas këtyre e tutje politika nuk do ta shohë më popullin si turmë që del e vritet thjesht për interesa të saj. Të gjithë, duke nisur nga kreu i shtetit e duke përfunduar te kryetari i komunës më të largët, që sot e tutje duhet t’i bëjnë hesapet mirë, që shumë më parë se t’i pranojnë postet, le më t’u shkojë mendja për ndonjë zullum. Politika mund të ngrejë sisteme, mund të krijojë shumica të pathyeshme elektorale, por për gjëra madhore duhet të pyesë popullin, para të cilit duhet të përgjigjet deri më një. Ngjarjet e djeshme ishin edhe prova se si shumë gjëra, duke përfshirë këtu edhe hyrjen në NATO apo BE, apo edhe dërgimin e djemve tanë në zonat më të frikshme të globit, duhej bërë patjetër me referendum. Propozimi i djeshëm i opozitës për referendum ishte sigurisht i vonuar, sepse ndërkohë ai kishte nisur në rrugët e qyteteve tona, madje edhe kishte mbaruar votimi në një kohë rekord dhe kishte superfituar krahu i Jo-së. Mbrëmë, në orën 17:28, Edi Rama nuk bëri gjë tjetër veçse pranoi rezultatin e këtij referendum.
http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/11/16/kushti-vi-per-ne-perendim/