Qindra LGBT ne rruget e Beogradit. Zhvillojne paraden pasi qeveria vendos ta ndaloje
Shkruan nga Beogradi Kristi Pinderi
Disa qindra aktivistë LGBT marshuan në mbrëmje në rrugët e Beogradit në atë që mund të quhet parada gej më paqësore dhe më origjinale.
Pak pasi mësuan se parada ishte ndaluar nga autoritetet dhe nga kryeministri Ivica Dacic aktivistët u mobilizuan në mënyrë të shpejtë me njëri tjetrin dhe rreth orës 11 të mbrëmjes rreth 400 vetë u mblodhën para selisë së qeverisë.
Policia gjithashtu mundi të mobilizohej menjëherë por ishte e pamundur që të ndalonte në atë pikë aktivistët të cilët nisën të marshonin në rrugët kryesore të qytetit. Një flamur i madh me ngjyrat LGBT i printe turmës së aktivistëve të cilët hodhën parrulla si “Nuk heqim dorë nga parada”.
Pasdite vonë kryeministri Dacic deklaroi se nuk do të lejohej parada e paralajmëruar për ditën e shtunë, “për motive sigurie”.
Por në mbrëmje u kuptua qartë se asnjë rrezik i vërtetë nuk kishte, pasi marshimi që ngjasonte me kohën e protestave të Stonewall në Amerikë u mbyll në mënyrën më paqësore të mundshme përpara ndërtesës simbol të Beogradit që shërbente dikur si parlamenti i Jugosllavisë.
“Nuk kamë konferenca, apo aktivitete në vende të mbyllura, ky është aktivizmi i vërtetë”, tha një aktiviste nga Beogradi.
Gjatë gjithë marshimit aktivistët dukeshin të qeshur për atë që mund të quhet parada gej më e bukur dhe më e qetë në historinë e Serbisë.