Qumeshti i kontaminuar eshte akoma ne shitje ne Shqiperi, raporton Balkan Insight
Pasi autoritetet kërkuan që të hiqet nga tregu qumështi i dyshuar si i kontaminuar me aflatoksinë, ai sërish është në shitje, konfirmon Balkan Insight
Një vëzhgim në supermarketet e Tiranës, i realizuar nga Balkan Insight, zbulon se qumështi nga prodhuesit vendas dhe rajonalë, i kontaminuar me toksinë, është sërish në shitje, dy ditë pas ndalimit.
Markat e dyshuara përfshijnë prodhuesin lokal Fast Milk dhe prodhuesin kroat, Dukat.
Të martën, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, AKU, kërkoi nga dy prodhues vendas, Primalat dhe Fast Milk, të tërheqin produktet e tyre nga tregu, duke iu trembur kontaminimit nga aflatoksina, potencialisht e rrezikshme.
Qumështi i prodhuar nga Dukat po ashtu vlerësohet se ka një nivel të lartë aflatoksine, nga analizat e kryera në Vjenë nga vendet e tjera ballkanike.
Analizat treguan se sasia e aflatoksinës ishte 0.006 përqind, pak më e lartë se sasia e lejuar prej 0.005 përqind.
Raportimet se qumështi në rajon është i kontaminuar nga toksina e rrezikshme kanë provokuar frikë të madhe për shëndetin në mbarë rajonin.
Vendimi i Shqipërisë për të tërhequr nga tregu qumështin vjen pasi agjencia e ushqimit në Kosovë urdhëroi heqjen e qumështit të prodhuar nga pesë marka të ndryshme, përfshi dy prodhues shqiptarë, pasi testet e para treguan se kishte kontaminim të mundshëm më toksinë.
Bosnja, Kroacia, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë vendosur të heqin nga tregu qumështin e prodhuar nga firmat kroate Dukat dhe Vindija.