Reagim i ashper i shoqerise civile per mungesen e drejtesise ne lidhje me Gerdecin dhe 21 janarin
Shoqëria civile shqiptare reagoi sot përmes një deklarate për median në lidhje me atë që e quajti “shkelje sistematike e të drejtave të familjarëve të viktimave të gërdecit dhe atyre të 21 janarit për të pasur një proçes të rregullt ligjor”
Reagimi vjen për dy ngjarjet e konsideruara si më të rëndat e këtyre 2 dekadave të fundit, ku autoritetet shtetërore kanë dështuar në kryerjen e funksioneve të tyre në mbrojtje të së drejtës së jetës, dhe investigimit të kësaj humbjeje, si e drejta më thelbësore e parashikuar në çdo sistem demokratik.
Është fakt se në shpërthimin e 15 marsit 2008 dhe në demostratën e 21 janarit 2011 kanë humbur jetën 30 viktima dhe janë plagosur qindra të tjerë. Pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre ngjarjeve ishin dhe humbjet e jetëve të tre personave të tjerë më vonë, familjarë të viktimave të këtyre ngjarjeve tragjike, të cilët dukshëm nuk e përballuan dot hapin e ngadalshëm e të pasigurt të drejtësisë.
Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile theksojnë se, “Autoritetet shtetërore kanë dështuar në marrjen e masave për mbrojtjen e jetës; Procesi hetimor për zbardhjen e ngjarjeve ka lënë shumë për të dëshiruar; Në të dyja rastet padia civile brenda procesit penal e ngritur nga familjarët e viktimave, nuk është pranuar nga gjykata, duke i lënë pa asnjë shteg ligjor për t’u ankimuar. Kjo u ka mohuar atyre të drejtën që të jenë pjesë aktive e procesit, për të pyetur dëshmitarët dhe ekspertët, për të kërkuar prova, etj; Gjykimi në të dy rastet nuk ishte në standardet e kërkuara nga ligji”.
Bëhet e ditur gjithashtu se “familjarët e viktimave kanë hasur pengesa të pakapërcyeshme dhe në kërkimin e dëmshpërblimit për humbjen e jetës të afërmve të tyre”.
Padrejtësia e hasur në çdo hap nga familjarët e viktimave është padrejtësi në kurriz të çdo qytetari shqiptar, thuhet në deklaratën e shoqërisë civile.
Shoqëria civile shpreh më tej “solidaritetin me familjarët e viktimave të dy tragjedive, shpreh revoltimin qytetar ndaj maratonës së padrejtësive, dhe u kërkojnë njëzëri institucioneve përkatëse të tregohen në lartësinë e situatës dhe të realizojnë detyrat me të cilat i ngarkon Kushtetuta dhe ligjet e këtij vendi dhe një sërë aktesh normative ndërkombëtare”.
Shoqëria civile shqiptare e ndjen si detyrim të sajin të kërkojë vendosjen në vend të drejtësisë. Tragjeditë e Gërdecit dhe 21 janarit janë testi më i rëndësishëm i funksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Nëse këto procese dështojnë, besimi tek drejtësia dhe demokracia do të jetë i pamundur për t’u rikuperuar, përfundon deklarata.
LEXOJENI TE PLOTE SI DHE EMRAT E ORGANIZATAVE DHE PERFAQESUESVE TE SHOQERISE CIVILE
http://respublicalb.wordpress.com/2013/02/23/reagim-i-shoqerise-civile-per-drejtesine-e-munguar/