SKANDALI/KQZ pengon personat me aftesi te kufizuar qe te votojne
KQZ nuk do ndertoje pedanat per personat me aftesi te kufizuara, thote se: “kjo eshte luks”
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve diskutoi buxhetin për zgjedhjet e 23 Qershorit 2013. Mbi zërin “shpenzime për mallra konsumi” ishin përfshirë edhe shpenzimet për prodhimin e pedanave për personat me aftësi të kufizuara, të cilat duhet të vendosen në hyrjet e objekteve ku do janë qendrat e votimit.
Por gjate diskutimit u kundërshtua miratimi i asaj pjese të buxhetit, që lidhej me prodhimin e pedanave për personat me aftësi të kufizuara duke u cilësuar si “ luks i tepërt” prodhimi i tyre që, sipas komentit që u artikulua gjatë mbledhjes “përdoren vetëm një herë”!
Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme i tërhoqi menjëherë vëmendjen KQZ për këtë vendim skandaloz. Ky koalicion ëprmes një njoftimi për shtyp i kujtoi këtij institucioni se e ka për detyrë që të vendosë pedanat. E detyron jo vetëm strategjia kombëtare ëpr personat me aftësi të kufizuar, por edhe Kodi Zgjedhor, në nenin 108 që përcakton detyrimin ligjor që qendrat e votimit duhet të përshtaten edhe duke vendosur pajisje ndihmëse/pedana në hyrje të tyre.
Po kështu, Ligji Kundër Diskriminimit e parashikon këtë akt të KQZ si një veprim të pastër diskriminues. Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Irma Baraku do duhet të reagojë, por sic dihet, sa herë flitet për t’u marrë me zyrtarë të lartë të shtetit, ajo bën sikur nuk shikon, ose sikur nuk dëgjon…
“Eshtë e domosdoshme që të dihet nga të gjithë, edhe nga ju të nderuar anëtarë të KQZ, se duke qenë se qendrat e votimit janë të vendosura në shumicën e tyre në objekte publike si shkolla, qendra shëndetësore, zyra, etj. vendosja e rampave në hyrje të tyre e përqas objektin me standartet e detyrueshme ndërkombëtare dhe kombëtare jo vetëm për procesin e votimit, por edhe për aktivitetin e përditshëm të tyre në shërbim të nxënësve e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e këtij grupimi.
Duke i vendosur këto pedana në objekte publike ato mbeten në përdorim afatgjatë, përtej periudhës zgjedhore, për të gjithë përdoruesit e shumtë të këtyre objekteve.
Kështuqë fondet e parashikuara nuk përbëjnë para të hedhura dëm, por do të krijojnë “ luksin” për personat me aftësi të kufizuara që të gëzojnë të drejtën për votim të barabartë, të drejtpërdrejtë e të fshehtë.