Sot Dita Boterore e Veshkes. Mjeket bejne thirrje te zgjerohet kategoria e dhuruesve. Ne maj transplantet ne QSUT
Dita Botërore e Veshkës, fokusi ynë transplantet. Pritet që në fillim të muajit maj do të rifillojnë të bëhen transplantet në QSUT, por mjeket bejne thirrje qe te zgjerohet kategoria e dhuruesve
Albina Hoxha
14 Marsi është Dita Botërore e Veshkës. Në këtë ditë në të gjithë botën organizohen aktivitete sensibilizimi. Fokusi është problematika kryesore që dëmton më dendur veshkën. Çdo vend ka moton e tij në këtë ditë. Janë një sërë sëmundjesh që godasin veshkën, të tilla janë: diabeti, hipertensioni, obeziteti etj. Motoja në Ditën Botërore të Veshkës në Shqipëri vitin e kaluar ishte “Kujdesuni për diabetin se kujdesini për veten”, kjo moto u vendos pasi numri i diabetikëve u rrit ndjeshëm. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë problemet me veshkën janë një problem social dhe ekonomik, është një re e zezë në të gjithë botën.
Po këtë vit cili do të jetë fokusi në këtë ditë?
Lidhur me këtë zhvilluam një bisedë me Shefin e Shërbimit të Nefrologjisë në QSUT doktor Nestor Tereska. Sipas Treskës në qendër të vëmendjes duhet të jetë transplanti i veshkës. Madje ai shkon më tej duke sugjeruar si moto “Dhuroni veshkën shpëtoni një jetë”. Sërish sjell në vëmendje domosdoshmërinë e zgjerimit të grupit që mund të dhurojë veshkën pacientit në nevojë. Në Shqipëri ligji lejon vetëm familjarët që të dhurojnë veshkën të afërmit të tyre.
Prej kohësh janë ndërprerë transplantet në Qendrën Spitalore Nënë Tereza, shkak është bërë mungesa e ekipit mjekësor. Kjo ka bërë që në listën e pritjes të shtohen shumë personaqë kanë nevojë për të kryer transplant. Është folur gjatë dhe gjithmonë ka qenë në qendër të vëmendjes domosdoshmëria e bërjes së transplaneteve në QSUT, por nuk është bërë akoma e mundur që të rifillojnë transplantet.
Para pak ditësh kryeministri vendit deklaroi se do të bëhet e mundur të rifillojnë transplntet për një kohë shumë të shkurtër. Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar një fond të veçantë për transplantet, nuk bëhet e ditur shuma por është e mjaftueshme për të kryer 30 operacione gjatë këtij viti.
Doktor Tereska thotë se transplantet sipas parashikimeve të tij do të rifillojnë atz nga fillimi i majit. “Nefrologjia ka kërkuar disa aparatura të vogla mjekësore, ekipi po punon sistematikisht dhe në fillim të javës do të organizohet një mbledhje për të parë se deri ku ka vajtur puna dhe çfarë duhet plotësuar”, thotë Tereska.
Tereska na jep dhe një lajm tjetër të mirë. “Për herë të parë në po punojmë me forca të shumëfishuara, duke i tejkaluar mundësitë tonë për të qenë pjesë e Qendrës Ndërkombëtare për sëmundjet renale. Qendra e saj është në Bruksel. Vëzhgimet e tyre deri tani na thonë se po ecim në rrugën e duhur, jam shumë entuziast për këtë. Besoj se brenda muajit prill do të jemi pjesë e kësaj qendre të madhe. Kjo është një arritje e madhe për ne”.