Spitalet, nen hetim shefat e sherbimeve!
Ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova ka bërë me dije ditën e djeshme se të gjithë shefat e shërbimeve janë nën hetim. Sipas tij ka të dhëna të forta që mjekët i dërgojnë pacientët në klinika private për të marrë shërbime të cilat mund të bëhen në spitalin publik.
Për këtë arsye është ngritur një grup inspektorësh të cilët po hetojnë abuzimet që drejtues të caktuar në shërbimet e QSUT-së kanë kryer në kurriz të pacientëve.
Sipas Kosovës, personeli mjekësor i shërbimit në të gjitha spitalet e vendit nuk do të tolerohet më për abuzimet që kryejnë ndaj pacientëve. Në këto kushte mjekët nuk do të mund të justifikohen për moskryerje të operacioneve për shkak të mungesës së medikamenteve, pasi ky problem nuk ekziston. Në përfundim të hetimeve do të zbardhen edhe penalitetet që do të merren ndaj abuzuesve, masa të cilat do të shkojnë deri në largim nga detyra.
Ministri Kosova nuk ka bërë public asnjë emër, por ka shtuar se “ndonjë shef shërbimi, i prirur nga puna në sektorin privat ose spitalet private, mund të paraqesë pengesa për pacientët. Kam të gjitha pikat e komunikimit për të qenë në brendësi të situatës dhe nëse një shef shërbimi i thotë pacientëve që do të anulohet operacioni sepse mungon një ilaç, absolutisht që ky do të përplaset me të gjitha masat ligjore që kam në dorë për të ndërmarrë kundrejt atyre që abuzojnë me sektorin shëndetësor”.
Gjithashtu, të shumta pohohet të jenë edhe shkeljet e evidentuara nga auditi sa i takon sigurimit të barnave. Vëzhgimet kanë treguar se mbulimi i mungesave të barnave është bërë përmes faturave fiktive. Çka do të thotë se faturat janë përfshirë në sistem, ndërkohë që pacientëve u është kërkuar që barnat të blihen në privat, pasi spitali nuk i kishte.
(A.H)