“Te rinjte ne Shqiperi diskriminohen nga punedhenesit”
Diskriminim nga punëdhënësit për shkak të moshës, të bindjeve politike, kërkesë për favore seksuale, kjo është ajo që kanë dëshmuar të rinjtë e anketuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Bosnjë-Hercegovinë, Maqedoni dhe Mali i Zi. Janë mbi 10 mijë persona të intervistuar nga HeadHunter dhe instituti Eunacal, të cilët kanë publikuar në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, raportin e studimit online. Pyetësori ka pasur gjithsej 70 pyetje dhe përpiqet që të hetojë punësimin në të gjitha dimensionet e tij. Një e dhënë që nuk mund të gjendet në statistikat zyrtare, është ndikimi i bindjeve politike, që sipas të anketuarve kanë rëndësi në 47% të rasteve për të filluar një punë. Po ashtu, 40% e të anketuarve kanë vetëdeklaruar se janë ndier të diskriminuar kur janë marrë në intervistë për një vend pune, për shkak të vendlindjes, theksit apo dialektit, si edhe besimit fetar. Diskriminimi vjen në 2 forma, në institucionet publike dhe kompanitë private: Gjinia është një nga prirjet e diskriminimit në kompanitë private.
Për shembull drejtuesit e kompanive mendojnë se femrat nuk janë të afta për një profesion të caktuar. Në institucionet shtetërore vazhdon diskriminimi politik.Sipas të dhënave, në kërkim të një pune në Kosovë janë 55.3 për qind, në Shqipëri 35 për qind, kurse 40.3 për qind në Bosnjë e Hercegovinë. Studimi konkludon se 21% e shqiptarëve punojnë pa kontrata pune, përkundrejt 10% në Maqedoni. Situata është ndryshe në Kosovë, ku rreth 15% e të intervistuarve atje janë pa kontrata pune. Por ndërsa në Shqipëri një personi i duhet mesatarisht 7.3 muaj për të gjetur një punë, në Maqedoni i duhen 18.1 muaj. Lidhur me profesionet, të rinjtë janë përgjigjur se, më të kërkuar janë inxhinieria elektrike dhe informatike, ku periudha e papunësisë varion nga 1.8 -2.3 muaj, ndërsa 5 profesionet më të vështira për të gjetur punë janë veterinaria, infermieria, farmaceutika, gjuhë-letërsia dhe juridiku, ku duhen mesatarisht 4.5- 12.2 muaj për të gjetur një punë.
Të dhënat e anketës tregojnë së në Kosovë paga mesatare e të anketuarve që punojnë është 513 euro, Shqipëri 420 Mal i Zi 450, Bosnjë e Hercegovinë 442, kurse qytetarët e Maqedonisë kanë rrogën më të lartë në rajon 887 euro. Kosova ka përqindjen më të lartë të papunësisë në rajon. Po ashtu ka edhe numrin më të lartë të kontratave të përkohshme. Nuk mungon as perceptimi për favore seksuale në vendin e punës. Nga të dhënat e sondazhit online në Shqipëri, 80% e të anketuarve pranojnë se kërkohen favore seksuale për të fituar një vend pune. Ndërsa 2% e femrave të punësuara kanë pranuar të kenë kryer seks në vendin e punës, kundrejt 12% të meshkujve që pranojnë të kenë marrëdhënie intime me kolegë apo vartës.
Metodologjia/Të rinjtë u kontaktuan me e-mail dhe në FB
Sipas organizatorëve u intervistuan rreth 30 mijë të rinj dhe pas analizës, u seleksionuan 10 mijë intervista. Besueshmëria nuk është e plotë për të konkurruar shifrat zyrtare, sepse rezultati varet shumë nga aksesi në internet. Kështu p.sh., duke qenë se dendësia e të pyeturve është në qendrat urbane, kjo ndikon te rezultati i vlerës së pagës mesatare që raportojnë, mbi 400 euro. Por ky studim jep disa tendenca që ekzistojnë në tregun e punës. Janë interesante të dhënat, sa kohë u duhet të rinjve për të gjetur një punë, sa vlejnë në punë dijet dhe aftësitë e përftuara nga sistemi arsimor, cili është niveli i pagave sipas degëve të diplomimit, sa u besojnë të rinjtë burimeve të ndryshme të informacionit (media, zyra e punës etj)./Gazeta “Shqip”/