Trazira ne paraden e Podgorices, huliganet strehohen ne Kishe
Raporton nga Podgorica Kristi Pinderi/Fotot nga Erjon Tela
Në Podgoricë u zhvillua sot parada e parë LGBT e mbrojtur nga të paktën 2 mijë policë, nga 4 mijë që ka në total ky vend.
Rreth 200 aktivistë LGBT marshuan në bulevardin “Krajl Nikolla” duke hedhur parrulla në mbrojte të të drejtave të njeriut dhe duke mbajtur në duar flamurin LGBT.
Praktikisht kishte 10 policë për ccdo pjesëmarrës në paradë, ndërkohë që një helikopter i forcave të armatosura mbikqyrte situatën nga ajri.
Në zonën ku u zhvillua parada, një zonë me ndërtesa qeveritare nuk pati asnjë incident, por jashtë perimetrit të kësaj zonë mbi 400 të rinj, shumë prej të cilëve minorenë thyen xhama dyqanesh, hodhën gurë ndaj policisë si dhe shkaktuan trazira ndaj të cilave policia reagoi përmes gazit lotsjellës.
Zonat e trazirave ishin disa, por problemet më të mëdha ndodhën në afërsi të katedrales më të re të qytetit ku po mbahej një meshë dhe po predikohej pikërisht kundër paradës.
Gjatë këtyre trazirave priftërinjtë e katedrales të përuruar pak javë më parë hapën dyert e kishës që ekstremistët të strehoheshin dhe t’i shpëtonin ndalimit nga policia.
Daniel Kalezic një prej organizatorëve të paradës u shpreh se “ne nuk do të heqim dorë derisa komuniteti LGBT të ketë të njëjta të drejta si kushdo qytetar tjetër”.
Më herët anëtarë të një organizate LGBT (LGBT Forum Progress) janë sulmuar në rrugë dhe policia ka nisur një investigim.