Vidhnin pensionet e te moshuarve qe nga viti 1991…
Rreth 360 milionë lekë të vjetra është dëmi i shkaktuar arkës së shtetit nga grupi prej pesë personave të arrestuar disa ditë më parë gjatë operacionit “Miks 2013”, për falsifikim dokumentesh dhe përvetësim pensionesh, ndërkohë që policia ka zbardhur të gjithë mekanizmin sesi ata funksiononin.
Zanafilla e mashtrimit ka nisur që në vitin 1991 dhe ka vijuar deri në korrik të vitit 2013, pa u vënë re nga askush, ndërkohë që dje ata janë paraqitur për njohjen me masën e sigurisë në Gjykatën e Tiranës, ku katër prej tyre janë lënë në “arrest me burg”, ndërsa për bashkëshorten e njërit prej tyre është vendosur “arrest shtëpie”.
Burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se grupi ka operuar në mënyrë të përkryer dhe të arrestuarit kishin përvetësuar pensionet për 13 veta, ku njërin prej tyre e përfitonin që nga viti 1991, ndërsa 12 të tjerat që nga viti 1998.
Koka e rrjetit të mashtruesve duket se ka qenë Shpëtim Lika, i cili nga viti 1990 deri në vitin 2007, rezulton të ketë qenë punonjës në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, ku ka mbajtur funksione të ndryshme.
Sipas gazetës Shqip, ai ka rritur të falsifikojë dokumentet e një nëne me shumë fëmijë, e cila sipas ligjit duhet të merrte pension.
Përfituesja nuk e mori vesh kurrë që shteti kishte lëshuar pension në emër të saj, sepse paratë janë përvetësuar nga 36- vjeçari Lika.
Më vonë Lika ka krijuar një rrjet mashtrimi dhe falsifikimi.
Ata u kapën pak ditë më parë, ndërkohë që dje kanë dalë para togave të zeza ku kanë marrë edhe masën e sigurisë “burg pa afat” katër të ndaluarit: Shpëtim Lika, Limnije Dibra, Abaz Stafhasani dhe Nezhat Nasufi.
Ndërsa për bashkëshorten e Abazit është dhënë masa “arrest shtëpie”./TemA/E.T/