Vizita e Rames ne Beograd do zhvillohet me 10 nentor, Vucic Rama bisedojne ne telefon
Konfirmohet zyrtarisht se vizita e kryeministrit Edi Rama ne Serbi do te shtyhet per ne daten 10 nentor. Vucic dhe Rama kane biseduar ne telefon dhe kane rene dakort se incidentet jane te padeshiruara.
Me poshte nje koment I Gjergj Erebares.
Gazetari Gjergj Erebara shkruan në reporter.al se “ndërsa europianët duken të etur që vizita e Ramës në Beograd të kryhet, politika në Beograd nuk duket e gatshme për ta hedhur këtë hap”.
Debati i pafundmë mbi ndeshjen e futbollit Serbi – Shqipëri dhe fyerjet pa teklif të zyrtarëve serbë ndaj shqiptarëve në tërësi si popull, krijojnë përshtypjen se politika serbe po bën gjithçka që mundet për ta ndaluar vizitën, duke testuar njëkohësisht fuqinë e vet negociuese përballë Brukselit si dhe duke ushqyer popullin e vet me nacionalizëm, pikërisht në kohën kur ky vend përballet me krizën e vet identitare, afrimi me Bashkimin Europian ose afrimin me Rusinë, komenton Erebara.
Ai sugjeron se “vizita e Putinit ishte një masë propagandistike që synonte të hiqte vëmendjen ndaj marrëveshjeve reale qe Serbia ka bere se fundmi me BE-në dhe NATO-n” dhe në këto kushte, “nuk është e paarsyeshme që retorika nacionaliste e politikës serbe kundër Shqipërisë të jetë pjesë e propagandës për konsumim të brendshëm të udhëheqësve serbë”.
“Teoritë e konspiracionit mbi dronin me banerin e Shqipërisë së Madhe”, shkruan më tej Erebara, “u krijuan dukshëm nga politika e Serbisë për të krijuar përshtypjen mes votuesve të tyre të një komploti botëror kundër Serbisë. Ky është i njëjti model propagande si ai i Shqipërisë komuniste që synonte të justifikonte dhunën ndaj popullit të vet me teorinë e një komploti botëror, e një sulmi iminent nga NATO dhe Traktati i Varshavës mbi Shqipërinë”.
Por pavarësisht se çfarë arsyesh i shtyjnë politikanët e Serbisë për këto lloj lojrash propagandistike, fakti është që në situatën aktuale, Rama vështirë se mund të marrë garancitë e duhura nga politika serbe për zhvillimin e një vizite normale shtetërore të nivelit të lartë.
“Politika e Serbisë po bën përpjekje të ethshme për të ndaluar vizitën e Ramës pa marrë parasysh kostot që mund t’i krijohen nga ky refuzim. Dukshëm Beogradi nuk është i përgatitur shpirtërisht për normalitet”, përfundon komenti.