AKEP: Rritet me 9.6% numri i përdoruesve individual të internetit
Rritja e ndjeshme e konkurrencës ka ndikuar në uljen e ndjeshme të ccmimeve dhe zgjerimin e numrit të përdoruesve të internetit në gjithë vendin.
Në fund të 6-mujorit, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare thotë se përdoruesit e internetit kanë arritur në një total 228 mijë familje dhe biznese që e marrin këtë shërbim, me një rritje 9,6% krahasuar me fillimvitin.
Sipas të dhënave të AKEP-it, rrjetet e shpërndarjes së Internetit sot mbulojnë më shumë zona, duke afruar akses shërbimi për më shumë përdorues. Në 6-mujorin e parë numri i klientëve që marrin shërbimin e internetit është rritur me 20 mijë familje dhe biznese.
Kompania “Albtelecom” është operatori më i madh i shërbimit të internetit, me rreth 39% të numrit total të abonentëve, por po vihet re, se operatorët e tjerë zënë vend të rëndësishëm në treg, ku të marrë së bashku, zotërojnë pjesë tregu më të lartë se “Albtelecom”-i, që ka fuqi të ndjeshme. Kështu “Abcom” zë 22% të totalit të tregut, ” Tring” zë 13%, “Abissnet” 11%. /M.G