Pse luftojne keta shqiptare?
Gazeta Express sjell një analizë të shkurtër të medieve botërore për luftën në Siri, bashkë me rrëfimin e një luftëtari shqiptar në këtë shtet arab. Kjo luftë e nisur me qëllim të rrëzimit të Diktatorit Assad, tashmë ka degjeneruar në luftë mes grupeve terroriste që synojnë pushtetin. Shqiptarët janë gjetur në mes të kësaj beteje të ndytë dhe po vriten për çdo ditë. Kjo s’është lufta e shqiptarëve, prandaj është mirë që shqiptarët që janë në Siri të kthehen në shtëpitë e tyre të gjallë, e jo në arkivole; të vrarë nga terroristët që synojnë pushtetin e nuk luftojnë për Zotin.
Lufta gati 3 vjeçare në Siri, që kishte nisur me qëllim të rrëzimit të diktatorit Bashar Al Assad, tashmë ka marrë jetën ndoshta të 150 mijë njerëzve.
Siç dihet, atje tashmë kanë shkuar edhe një numër shqiptarësh (besohet rreth 150), me arsyetimin se feja myslimane kërkon përfshirje në Xhihad ose Luftë të Shenjtë.
Sipas njoftimeve të mediave ndërkombëtare dhuna e kryengritësve ndaj kryengritësve, që shpërtheu fuqishëm javën që shkoi, është shpërndarë në katër provinca, ndërsa ka marrë jetët e 500 e njerëzve vetëm ditëve të fundit (240 të vrarë janë nga radhët e kryengritësve, 157 i takojnë grupacionit të ashtuquajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit dhe 85 të tjerë janë civilë).
Pra aktualisht në Siri është një rrëmujë e vërtetë dhe është shumë e vështirë të qartësohet se kush po lufton në anën e kujt.
“Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit dhe grupet tjera të lidhura me Al Qaeden të njohura si Jabhat Al Nusra ose Nusra Front fillimisht ishin bashkuar me kryengritësit për të luftuar kundër Assadit në një konflikt që kishte filluar si një kryengritje popullore por që u shndërrua në luftë civile”, njoftojnë mediat ndërkombëtare.
Për luftën e ndytë ka shkruar edhe një shqiptar pjesëmarrës në këtë luftë që veten e përshkruan si muxhahedin. Bëhet fjalë për shqiptarin Lavdrim Muhaxheri që vetën e nënshkruan si Ebu Abdullahu nga Kaçaniku, i cili në Facebook ka shkruar për përleshjet që janë duke ndodhur ndërmjet grupacioneve me agjenda të ndryshme.
Ai flet për një shqiptar që fillimisht ka luftuar përkrah kryengritësve që kanë agjenda islamike e që më pas duke se u është bashkuar grupeve të moderuara.
“… ky far Abdulkerimi ka qenë me neve duke luftu kunder nje ketibe qe ky ne mes thot qe i perket asaj ketibe.. pastaj ka shku vet esht dorezu te ta .. allahu e din se pse esht dorezu .. ky person ne mes dhe ketibja e tij jan murteda .. kta e kan emrin liëe el fetah , dhe liëa el teuhid .qellimi i tij esht qe me u bo shtet demokrat e jo shtet islam. i kan shpal luft doule islamije dhe muhaxhirve .. kta kuffar murteda na kan luftu e jan vra 4 vllezer shqiptar e jan plagosur 4 tjer .. ndersa ky abdulkerimi qe esht me shamij thot ato jan vellezerit tan .. nuk e dij se a e thot prej se mires apo prej zorit…”, ka shkruar ai.
Në këtë kontekst, duket se pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë luftë është absurde. Nga një luftë për heqjen e një Diktatori gjakatar siç është Assad, lufta ka degjeneruar në luftë civile, luftë për pushtet mes grupeve terroriste, shumë prej tyre të lidhura me Al-Qaeda.
Lexoni me shume:
http://www.gazetaexpress.com/?cid=1,15,131216