Albin Kurti me fjalim historik në Kuvendin e Kosovës!

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka mbajtur një fjalim historik në hapësirën mbarëshqipëtare por edhe në Ballkanin Perëndimor në seancën në të cilën u diskutua kodi civil.
Kurti ka dalë hapur pro bashkësisë civile mes personave të gjinisë së njëjtë ndërsa tha se: “Unë nuk besoj që duhet t’i meritojmë të drejtat. Të drejtat na takojnë. I takojnë gjithsecilit. Edhe atij që nuk është sikur unë. Nuk ka kuptim që të drejtat t’i takojnë vetëm atij që është sikur unë”, tha Kurti.
Me tej në fjalën e tij, Kurti u ndal tek ana personale, teksa tha se: si kryeministër dhe si kryetar i subjektit më të madh në Kosovë, unë besoj në të drejtat e njeriut. Unë besoj që të drejtat nuk duhet t’i meritojmë. Të drejtat burojnë nga qenia. Të mirat vijnë nga puna, të drejtat burojnë nga qenia. Me vetë faktin që je njeri, ke të drejta. Jemi të ndryshëm- disa janë më shumë të ndryshëm – por të gjithë jemi njerëz. Dhe unë besoj në të drejtat e njeriut.”
Në një shoqëri e cila konsiderohet konservatore, ky qëndim i hapur i Albin Kurtit mund të konsiderohet historik, pasi jo vetëm nuk e ka bërë pothuasje asnjë politikan shqiptar, por të qënurit në rolin e kryeministrit të Kosovës dhe drejtues i subjektit politik më të madh atje, e bën atë të pakrahasueshëm me politikanët e tjerë./ HistoriaIme