Arvizu prezanton menyren si do mbeshtese SHBA procesin zgjedhor, perfitues edhe LGBT
“Demokracia nuk është një bunker betoni që izolon udhëheqjen politike prej popullit. Përkundrazi, zyrtarët e zgjedhur kanë detyrimin t’u shërbejnë në mënyrë të përgjegjshme dhe t’i përdorin postet e tyre të pushtetit që të përfitojnë të gjithë qytetarët”.
Kështu u shpreh sot paradite ambasadori i SHBA-së në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu, i cili ishte i pranishëm në një ceremoni ku u sqarua dhe u bë publike e gjithë mbështetja financiare, teknike dhe politike që SHBA do të japë për zgjedhjet e qershorit në Shqipëri.
Mbështetja e SHBA-së për zgjedhjet e 2013 do të jetë kryesisht e fokusuar në tre shtylla kryesore: do të mbështetet KQZ, proçesi i monitorimit dhe do të mbështeten edhe 13 organizata të shoqërisë civile që përmes projekteve të tyre do të ngrejnë për debat çështje të ndryshme si rëndësia e pjesëmarrjes në votime, e drejta e votës dhe mundësimi për të marrë pjesë në votime për personat me aftësi të kufizuar, për komunitetin rom, për LGBT-të dhe për grupe të tjera të pafavorizuara, etj.
Aleanca LGBT dhe Pro LGBT bashkarisht janë përfitueseve të një prej granteve të Ambasadës së SHBA-së dhe përmes këtij projekti ato do të ngrejnë publikisht zërin për çështjen e të drejtës së prindërimit dhe adoptimit të fëmijëve nga ana e LGBT, për të drejtën e ri-rregullimit gjinor dhe njohjes së tij për personat transgjinorë, për politikat në lidhje me mbrojtjen e LGBT nga dhuna në familje etj. Praktikisht, këto dy organizata do të kërkojnë që secila prej partive kryesore që merr pjesë në zgjedhje të thotë publikisht qëndrimin e vet mbi LGBT në mënyrë që elektorati që vjen nga ky komunitet të jetë më i qartë se për kë duhet të votojë.
Në lidhje me gjuhën e urrejtjes, ambasadori Arvizu tha: “Mesazhet që kërcënojnë persona të tjerë ose nxisin dhunë të cilësdo formë vetëm sa do të gërryejnë besimin se kandidatët dhe partitë janë të gatshëm të punojnë së bashku. Legjitimiteti i cilësdo qeverie që do të dalë prej zgjedhjeve të ardhshme do të varet nga mënyra se si do të sillen partitë gjatë muajve në vijim”.