Autori i mirënjohur thotë se vajza e tij është transgjinore, dhe ai “nuk ka qenë kurrë më krenar”

Shkrimtari i mirënjohur Khaled Hosseini, autor i “Gjuetari i Balonave” dhe “Një mijë diej vezullues” ka thënë se nuk ka qenë kurrë më krenar për vajzën e tij.
Romancieri afgano-amerikan postoi një foto bardh e zi të vajzës së tij në rrjetet sociale të mërkurën, me një mesazh të përzemërt pas lajmeve që ajo ka përfunduar procesin e tranzicionit.
Hosseini, vepra e të cilit është ndër më të vlerësuarit në letërsinë bashkëkohore shkroi në Instagram: “Dje, vajza ime njëzet e një vjeçare Haris doli në botë si transgjinore.”
Më tej, ai thotë se është krenar si baba që tani nuk ka një por dy vajza të bukura.
“Si baba, nuk kam qenë kurrë më krenar për të. Jam i kënaqur që tani nuk kam një por dy vajza të bukura. Mbi të gjitha, unë jam i frymëzuar nga guximi i saj për të ndarë me botën veten e saj të vërtetë. Ajo më ka mësuar mua dhe familjen tonë shumë për trimërinë, për të vërtetën. Për atë që do të thotë të jetosh në mënyrë autentike. E di që ky proces ishte i dhimbshëm për të, i mbushur me pikëllim dhe ankth. Ajo është e vetëdijshme ndaj mizorisë që i nënshtrohen çdo ditë njerëzit trans, por ajo është e fortë dhe e patrembur,”- tha ai.
Romancieri e përmbylli postimin duke shkruar se e do Haris dhe do të jetë pranë saj gjithmonë.
“E dua vajzën time. Do të jem pranë saj në çdo hap, ashtu si edhe familja jonë. Është një privilegj ta shikosh atë të hyjë në botë si një grua e bukur, e mençur dhe e shkëlqyer. Zoti e bekoftë.”
I lindur në Kabul, Afganistan në vitin 1965, Hosseini mbërriti në SHBA me familjen e tij si azilkërkues në vitin 1980. Ai ka qenë ambasador i Paqes në UNHCR-në, Agjencinë e OKB-së për Refugjatët, që nga viti 2006.
Librat e tij janë botuar në më shumë se 70 vende dhe janë shitur në më shumë se 40 milionë kopje në mbarë botën, sipas faqes së tij të internetit./ HistoriaIme