Balada e peshtymes
Nina Cara
Pështymë e ritëm,
pështymë e pëlltuq.
Këmba në një pellg të maskuar,
nën një pllakë trotuari të dekompozuar.
Një cicërimë zogu shtegtar në grinë metalike mbi kokë
dhe melodia e një pështyme të hedhur pa kujdes tutje,
Pështymë, pështymë, pështymë.
mbylli veshët, mbylli sytë, kujdes këmbët, mos shkel në pështymë.
Kujdes, shmangu nga ajo pështymë që po fluturon në ajër
duke mbartur mëkatet, mllefin e dimrat e paushqyer të një babai të drobitur,
pështymë…
Një facoletë e munguar dhe hapësirë e ndarë në qindra mijëra copa,
kapërcim lëngjesh e sekrecionesh në ajër, liri,
pushtim hapësire, tkurrje kokash e fytyrash, zgjedhje pllakash nga këmbët,
Pështymë, pështymë, pështymë.
Gëlbazë, me ngjyrë të thellë,
nga njeriu me kostum, njeriu me pantallona të grisur, nga njeriu me xhinse,
mushkëri të sëmura, të acaruara nga i ftohti i pashmangshëm, nga pakujdesia,
pështymë ‘zotni’ pështymë…