Bllokohen kartat e kreditit ne Vatikan
Vendimi për çështje hetimi, pas dyshimeve për mungesë transparence
Banka Qëndrore e Italisë ka bllokuar përdorimin e kartave të kreditit në Vatikan. Shkaku lidhet me shqetësimet e mëdha mbi mungesën e transparencës dhe aferat korruptive me financat e Selisë së Shenjtë.
Vatikanit nuk i ka pëlqyer bllokimi i përdorimit të bankomateve dhe kartave të kreditit në muzetë dhe pikat e tjera tregtare. Bllokimi i transaksioneve të tilla krijon pengesa të mëdha në një nga burimet kryesore të ardhurave të shtetit të vogël.
Turistët në muzeun e Vatikanit janë detyruar të paguajnë me para në dorë.
“Shenjat na tregojnë se nuk pranojnë kartat e kreditit. Kjo mund të shkaktojë probleme për njerëzit që mbërrijnë pa të holla të mjaftueshme”.
Në një njoftim zyrtar në sitin e Muzeut të Vatikanit thuhet se nuk është e mundur të paguhet në mënyrë elektronike brenda qytetit duke nisur nga 1 janari për motive që nuk varen nga dëshira e drejtuesve të muzeut.
Turistët ankohen për këtë mungesë shërbimi.
“Brenda një vendi të tillë nuk duhet të ndodhin gjëra të tilla, duhet të ketë një shërbim cilësor”.
“Për fat morëm shumë para në dorë, besoj se do të na mjaftojnë” thonë një grup turistësh holandezë.
Bllokimi i të gjitha transaksioneve bankare në pikat e shitjes në Vatikan vjen menjëherë pasi Bankitalia ka marrë vendimin për të hetuar degën Deutsche Bank që kryen aktivitetin në Vatikan. Një vendim i nevojshëm pas mungesave të zbatimit të rregullave kundër pastrimit të parave nga ana e Selisë së Shenjtë./Bota Sot/