Bojaxhi: Ky është vetëm fillimi, do të jemi në opozitë me pushtetin
Gjergj Bojaxhi, i ftuar në studion e Top Channel për të komentuar rezultatet e zgjedhjeve konfirmoi se grupimi që ai përfaqëson ka në plan një projekt politik për zgjedhjet e 2017, një projekt që nuk do të fokusohet vetëm në Tiranë por në gjithë Shqipërinë.
“Projekti ynë në këto zgjedhje”, tha ai, “ishte projekt për ta qeverisur Tiranën ndryshe, jashtë klientelizmit, jam i bindur që ka patur me mijëra të tjerë që me shpirt kanë qenë me ne por kanë patur shqetësimet që do i adresojmë në të ardhmen”.
Me mbi 16 mijë vota në Tiranë (ose 5.4 %) grupimi që përfaqësoi Bojaxhi thotë se do të jenë “opozitë ndryshe, që jo vetëm flet ndryshe, por dhe sillet ndryshe sepse nuk duhen përsëritur gabimet e së kaluarës kur vota kundër partive nuk ka qenë e shoqëruar me një alternativë ndryshe”.
Bojaxhi la të kuptohet se nga sot ai do të jetë në opozitë me ata që qeverisin aktualisht, të cilët I konsideroi si “përfaqësuesit më tipikë të kësaj kaste politike”.