Çmimi i ri i energjisë: përllogaritjet për familjarët
Tarifa e re e energjisë do të jetë mesatarja e dy çmimeve që paguajmë sot me dhe pa fashën 300 kWh/muaj. Këtë e bëri të ditur dje, në Fier, Kryeministri Edi Rama, i cili foli për herë të parë sa do të jetë konkretisht çmimi i ri i energjisë. Duke bashkëbiseduar me fierakët në “Forumin qytetar”, Rama deklaroi se “heqja e fashës do të thotë që do të shkojmë në një çmim të njëjtë dhe të mesatarizuar. Çmimi do të jetë i mesatarizuar, që në asnjë mënyrë nuk do të kapë ato tavane për të cilat predikon ditë-natë, kush do anarki, kush do rrëmujë dhe kush do që Shqipëria të vazhdojë të jetë rrumpallë për të mundur të përfitojë nga mjegulla, që la pas dhe që kërkon ta shfrytëzojë tani për të penguar punën tonë”.
Përllogaritjet
Duke llogaritur se Enti Rregullator nuk do të sjellë surpriza në vendosjen e tarifës së re të energjisë për konsumatorët familjarë, mund të bëjmë disa përllogaritje të çmimit të unifikuar, pra të mesatarizuar. Deklarata për heqjen e fashës mbrojtëse 300 kWh/muaj, solli deklarata dhe kundërdeklarata për çmimin e ardhshëm të energjisë elektrike. Në skemën ekzistuese me fashë për konsumatorët familjarë, kur harxhojnë deri në 300 kWh në muaj, çmimi i energjisë u llogaritet me 7.7 lekë/kW (9.24 lekë/kWh me TVSH).
Kur kalohet konsumiprej 300 kWh, atëherë e gjithë sasia e energjisë elektrike që shpenzohet nga 301 kW e sipër llogaritet me çmimin 13.5 lekë/kW (16.2 lekë/kW me TVSH). Varianti i ri që paralajmëroi Kryeministri për konsumatorët familjarë, është pagesa e një çmimi mesatar të njëjtë për të gjithë, pavarësisht sasisë së konsumit. Pra, përafërsisht tarifa e re e energjisë do të jetë 10.6 lekë/kW (pa TVSH-në).Diferenca maksimale në çmim midis skemës aktuale dhe asaj pa fashë konstatohet për një familje me konsum fiks 300 kWh në muaj. Me skemën e re, shtesa maksimale që do të paguhet në çmim është 1044 lekë. Kur ngrihet konsumi mbi vijën 300 kWh, diferenca e rritjes së tarifës fillon dhe bie. Shtesa bëhet zero, kur konsumi arrin fiks 600 kWh/ muaj. Mbi këtë konsum përfitimi është në favor të familjarëve.Duke e konkretizuar me shembuj, diferenca e pagesës me dy çmimet, përfshirë TVSH-në, do të jetë: Për një familje që harxhon 100 kWh në muaj, 348 lekë më tepër në faturën e energjisë elektrike; për konsumin 200 kWh/muaj, 696 lekë; për konsumin 300 kWh/muaj, rritja është 1044 lekë. Por, për një familje që harxhon 600 kWh në muaj, diferenca e shumës që paguhet nuk ndryshon.
Lexoni më shumë: http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/12/02/rama-cmim-mesatar-per-energjine-tabela-perllogaritjet-per-familjaret/